Çdo mbështetje të mundshme për Ukrainën: Presidenti çek Petr Pavel nuk ka lënë asnjë dyshim për qëndrimin e tij të qartë që nga fillimi i mandatit të tij vitin e kaluar. Në përvjetorin e dytë të pushtimit rus, ai u shpjegoi edhe një herë mijëra çekëve në Unazën e Qytetit historik në zemër të Pragës pse një fitore e Ukrainës ishte kaq e rëndësishme edhe për Republikën Çeke.
Sipas kreut të shtetit çek, Rusia nuk po bën luftë vetëm kundër Ukrainës. Agresioni rus drejtohet kundër gjithë botës perëndimore dhe rendit evropian të vlerave. Dhe Presidenti po i ndjek me vepra fjalët e tij të qarta. Republika Çeke është aktualisht në ballë të prokurimit evropian të municioneve për Ukrainën.
Një industri historikisht e fortë e mbrojtjes
Mungesa dëshpëruese e predhave të artilerisë dhe raketave të mbrojtjes ajrore në veçanti është ndoshta dobësia më e madhe e ushtrisë ukrainase për momentin. BE fillimisht i kishte premtuar Ukrainës një milion predha artilerie brenda një viti. Megjithatë, vetëm më pak se një e treta u dorëzua, për shkak të vështirësive të prodhimit.
Këtu hyn në lojë Republika Çeke. Ky vend ka pasur historikisht një industri të fortë të mbrojtjes dhe kompanitë private tregtojnë në një shkallë të madhe materiale të ripërtërira nga arsenalet e Traktatit të Varshavës. Në të kaluarën, ato shpesh kanë luajtur një rol të dyshimtë, por tani kontaktet kanë dëshmuar vlerën e tyre.
Qindra mijëra fishekë
Në një kohë që tregu zyrtar i municioneve është bosh në mbarë botën, përfaqësuesit e qeverisë çeke mundën të kryenin negociata diskrete. Rezultatin e prezantoi Presidenti Pavel në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, në mes të shkurtit: rreth gjysmë milioni fishekë të kalibrit 155 milimetër dhe 300.000 fishekë të kalibrit 122 milimetër ishin “identifikuar”, domethënë u gjetën jashtë vendit.
E përjavshmja çeke “Respekt” foli me njerëzit që hetojnë municionet në mbarë botën në emër të presidentit dhe qeverisë. Aktivitetet e tyre janë sekrete. Midis atyre që janë përgjegjës është edhe i dërguari i posaçëm i qeverisë për Ukrainën, Tomáš Kopečný. Ai nuk tregon se nga cilat vende vijnë armët. Ai thotë vetëm se ato janë nga vende që kanë qëndruar neutrale në luftë ose që nuk donin t’i kundërviheshin hapur Rusisë me furnizime municioni. E përjavshmja e citon atë me fjalët se do të ishte e pamundur që të shprehej më konkretisht, pasi kjo do të rrezikonte të gjithë procesin. Aq më tepër që edhe rusët po kërkonin me të njëjtin intensitet burime të reja furnizimi.
Impuls i ri për ndihmë për Ukrainën
Republika Çeke dëshiron të veprojë mbi të gjitha si ndërmjetësuese. Financimin do ta marrin përsipër vende të tjera, ai kap vlerën 1.5 miliardë euro. Sipas revistës “Respekt”, në realitet i gjithë transaksioni duhej të bëhej me dyer të mbyllura.
Megjithatë, kur Presidenti Pavel e kuptoi në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se si situata jopremtuese në front po ndikonte gjithashtu në gjendjen shpirtërore në nivelin politik, ai vendosi të bënte një deklaratë publike, duke shpresuar t’i jepte një shtysë të re ndihmës për Ukrainën. Dhe në të njëjtën kohë të shkurtonte negociatat e stërzgjatura dypalëshe për financimin e furnizimeve.
Gjermania me sa duket është e përfshirë
Dhe me të vërtetë, menjëherë pas paraqitjes së Pavel-it, disa vende u treguan të gatshme të siguronin fonde, midis tyre ishin Danimarka, Kanadaja dhe Holanda. Në përgjigje të pyetjes së ARD-së, Ministria Federale e Mbrojtjes deklaroi se edhe Gjermania dëshiron të marrë pjesë në financim dhe të përballojë një “pjesë të konsiderueshme” të shpenzimeve. Bisedimet janë në një stad shumë të avancuar.
Holanda dhe Danimarka kishin tashmë përvoja pozitive me Republikën Çeke si një ndërmjetëse e aftë në fillim të sulmit rus: në atë kohë, Praga kishte organizuar transferimin e 100 tankeve të vjetra sovjetike në Kiev. Ishte një nga dërgesat e para kryesore të teknologjisë së rëndë.
Zëri i Pavelit dëgjohet në Perëndim
Angazhimi personal i Presidentit Pavel luan gjithashtu një rol të rëndësishëm sot. Gjenerali në pensioni NATO-s dhe ish-kryetari i Komitetit të Mbrojtjes së NATO-s ka një zë që dëgjohet edhe në Perëndim.
Detyra e presidentit dhe e diplomatëve tani është të sigurojnë financimin, një pjesë e madhe e të cilit është ende e pasiguruar, thuhet. Po të arrihet kjo, armët mund të dorëzohen në Ukrainë brenda dy muajsh, sipas qeverisë. Për Republikën ÇekeKy ky nuk do të jetë operacioni i fundit i këtij lloji.
Revista “Respekt” raportoi të enjten, duke iu referuar Presidentit Pavel, se kërkuesit zyrtarë çekë të municioneve kishin gjetur materiale më të nevojshme urgjente, këtë herë raketa të mëdha, veçanërisht për mbrojtjen ajrore dhe kërcënimet./DW