Strukturat për hetimin kundër narkotikëve pranë drejtorisë vendore të Policisë Tiranë, gjatë veprimeve policore dje në rrugën “Mihal Duri” me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, kanë hasur në kundërshtimin dhe mosbindjen e disa shtetasve. Njëri prej tyre, duke drejtuar automjetin tip “Tiguan”, në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t’u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizimin e mjetit.

Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kërkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.