Olivier Giroud nuk njeh moshë dhe pavarësisht se numri në pasaportë thotë 37, ai po përjeton një rini të dytë. Në fushë, francezi është një lider i vërtetë për Milanin dhe po përjeton sezonin e tij më të mirë me kuqezinjtë prej momentit kur iu bashkua italianëve në vitin 2021.
Në 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Milanin, Giroud ia ka dalë të shënojë 14 gola si dhe të dhurojë nëntë asistë. Megjithatë, edhe sezoni më i mirë mund të mos mjaftojë për francezin që është në skadencë kontrate dhe për momentin bisedimet janë shtyrë për në fundin e këtij sezoni.
Giroud do ta dëshironte edhe një tjetër vit në Serie A, por mediat zbulojnë se është familja ajo që e shtyn drejt një tjetër opsioni. Bëhet fjalë për Amerikën dhe nisjen e një jete të re përtej Oqeanit. Giroud, është i detyruar të marrë në konsideratë edhe këtë alternativë teksa në MLS janë dy klubet më të interesuara për francezin, Neë York City dhe Los Angelos.
Koha do ta tregojë nëse sulmuesi do ia dalë të rezistojë kundrejt dëshirës së familjes ndërsa nga ana tjetër, Milan po merr masat dhe studion terrenin për zëvendësuesin e 37-vjeçarit. Në krye të listës qëndron Zirkzee i Bolognas ndërsa më pas vjen emri i Santiago Gimenez të Feyenoord si dhe Jonathan David i Lille.