Për të ndalur hovin e importit të veturave të vjetra, autoritetet maqedonase vitin e kaluar paralajmëruan rritjen e taksave për regjistrimin e këtyre automjeteve, si dhe taksë më të lartë për automjetet që ndotin më shumë mjedisin, megjithatë ndryshimet ligjore nuk e kanë dritën. Të dhënat e Drejtorisë së Doganave bëjnë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë importuar 177 mijë automjete të përdorura dhe vetëm 28 mijë automjeteve të reja.
Vjetërsia e veturave që qarkullojnë në rrugët e Maqedonisë së Veriut është rreth 20 vjet. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një e treta e veturave që janë në qarkullim ose 140 mijë nga gjithsej 480 mijë sa janë në qarkullim, regjistrimin e parë e kanë pasur në vitin 2005, 2006 apo 2007. Gjysma e automjeteve në qarkullim, ose 173 mijë sosh, i takojnë shekullit të kaluar, pra janë të regjistruara nga viti 1990 deri në vitin 2000. Në bazë të të dhënave, në vitin 2022 janë regjistruar 388 mijë vetura që përdorin naftë kundrejt 211 mijë veturave që përdorin benzinën si karburant. Sipas këtyre statistikave del se qytetarët janë të interesuar për veturat dizel dhe jo për ato me benzinë. Gjatë vitit të kaluar, nga gjithsej 31 mijë automjete që janë importuar në Maqedoninë e Veriut, 25 mijë janë me naftë ndërsa vetëm 6 mijë janë me benzinë.
Por, qytetarët thonë se pagat e vogla ua pamundësojnë blerjen e veturave të reja. “Nuk e di çka të them… megjithëse për mua me interes është të kem një veturë të lirë, sa për të shkuar në punë dhe për t’i dërguar fëmijët në kopsht, një veturë të vogël dhe ekonomike, pasi për veturë të re as që mendoj me pagat që i marrim”, thotë Viktor Andonovski që punon si administrator. Ndërsa, Radmilla, pensioniste, thotë se do ta shiste menjëherë veturën e saj të vjetër po të ishte transporti urban më cilësor. “E mbaj veturën e vjetër sa për të shkuar te fëmijët dhe miqtë një herë në javë, pasi me autobus është bërë e tmerrshme lëvizja”, thotë ajo.