Interi iu afrua shumë kualifikimit në çerekfinalet e Champions League, por nënkampionët e Europës nuk u treguan gjakftohtë në goditjet e penalltive.

Dhe në fund pati festë “Colchoneros”, me Atleticon e Diego Simeones që avancoi mes tetë ekipeve më të mira të kontinentit të vjetër.

Portieri i skuadrës zikaltër, Yann Sommer, i cili priti penalltinë e Saul Niguez, theksoi në deklaratën e shkurtër pas ndeshjes se ai dhe shokët e skuadrës duhet të përqendrohen në fitimin e titullit kampion.

“Çfarë na mungoi për t’u kualifikuar? Ndoshta pak fat, por është edhe faji ynë që nuk shënuam më shumë gola duke mos shfrytëzuar rastet që kishim.
Ky është Championsi, kompeticion ku niveli është shumë i lartë. Me njëri-tjetrin folëm që jemi një skuadër e fortë dhe që na presin shumë ndeshje përpara.
Zhgënjimi është prezent, madje është i madh, por duhet ta pranojmë. Le të fokusohemi te kampionati, sepse duhet të realizojmë objektivin tonë, që është fitimi i titullit”, u shpreh “gardiani” zviceran.