Për SHBA-në, sot është super e marta, apo dita më e madhe deri më tani në garën e 2024 për Shtëpinë e Bardhë.
Në 5 mars, votuesit në 15 shtete dhe një territor amerikan do të organizojnë njëkohësisht votimet për zgjedhjen e kandidatëve për president brenda partive. Gara republikane do të jetë në të gjitha këto 15 shtete, ndërsa demokratët do të votojnë në të njëjtat shtete përveç Alaskës, e do të kenë të ashtuquajturin kaukus gjithashtu në Samoan Amerikane, teksa presin edhe rezultatet e votimit në Iowa, të zhvilluar me postë prej disa javësh, thotë BBC.
Super e Marta pritet të ofrojë një panoramë të përmbledhur të pikave më të forta e më të dobëta të Joe Biden dhe Donald Trump, të cilët duket se po shkojnë drejt ripërballjes me njëri tjetrin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ky është një moment kyç për Presidentin Biden dhe ish Donald Trump, të cilët janë kandidatët kryesorë për president respektivisht në Partinë Demokrate dhe Partinë Republikane. Rezultatet e mira gjatë votimeve të së ashtuquajturës Super e Marta, do të forconin më tej pozitat e tyre.
Vetëm një ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi në favor të Trumpit për kandidimin në zgjedhjet paraprake. Ajo e riktheu ish presidentin në fletën e votimit, duke hedhur poshtë përpjekjet e disa shteteve për ta bërë atë përgjegjës për trazirat në Kapitol. Një ditë para zgjedhjeve paraprake të Super të Martës, gjykatësit vendosën se shtetet nuk mund të fusin në përdorim nenet e Kushtetutës të shkruara pas Luftës Civile amerikane, për të hequr nga fletëvotimi kandidatët presidencialë.
Sipas Gjykatës së Lartë, kjo e drejtë i takon Kongresit. Trumpi reagoi në plaftormen e tij sociale menjëherë pas vendimit, duke e cilësuar atë një “fitore e madhe për Amerikën!”