Një baba britanik, vajza e të cilit u mbyt gjatë zhytjes në Shqipëri, thotë se ndjen sikur vdekja e saj ka diçka të fshehur dhe se nuk do të ndalojë kurrë së luftuari për drejtësinë për të.
George Gannon, 61 vjeç, tha në një intervistë për Sky News se Rebecca, 29 vjeç, po kryente zhytje në një turne të organizuar me Qendrën Diving Spiranca në Sarandë shtatorin e kaluar, kur është gjendur në vështirësi. Ai tha se u trondit kur mori vesh lajmin vdekjen e saj.
“Ne ishim ulur si familje duke parë funeralin e Mbretëreshës, kur u trokitën në derë, hynë dy policë dhe thanë, “duhet t’ju themi se vajza juaj vdiq në Shqipëri”. Nuk kam mundur të qaj akoma, nuk kam mundur të pikëllohem”, tha ai.
George ka kaluar pjesën më të madhe të 12 muajve të fundit në Shqipëri duke u përpjekur të zbulojë se çfarë ka ndodhur dhe tani është gati të kthehet në Britani.
“Nuk do të ndalem kurrë derisa të gjej drejtësinë. Është e tmerrshme, nuk kam pasur asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare, nuk kam pasur asnjë ndihmë nga qeveria britanike. Sapo kam qenë atje duke luftuar për vajzën time pa asnjë ndihmë dhe kur jam përpjekur të kontaktoj me njerëz ata thjesht nuk flasin. Është sikur e gjithë situata është futur nën tapet dhe nuk ka ndodhur kurrë, por nuk do të ndalem kurrë, kurrë, kurrë, derisa të gjej drejtësinë”, tha ai.
Gannon tha se Rebecca kishte dashur të plotësonte 30 zhytje në kohën para se të mbushte 30 vjeç. Zhytja në Shqipëri ishte e 29-ta e saj dhe e fundit. Ai dyshon se u desh shumë kohë për të shpëtuar Rebekën, se vdekja e saj mund të ishte parandaluar dhe se vendi ku ajo vdiq ishte vetëm shtatë metra i thellë.
“Ajo ishte zhytur 25-30 metra dhe që ajo të vdiste vetëm në shtatë metra ujë ishte katastrofike,” tha ai.
“Spiranca” bëri udhëtime zhytjeje në detin Jon. Kompania duket se nuk funksionon më dhe një gazetar shqiptar i tha Sky News se kishte pasur një arrestim lidhur me ngjarjen.
Muhamed Veliu tha: “Prokurorët akuzuan pronarin e kësaj kompanie që ofron zhytje në Sarandë, për shkelje të rregullores së shëndetit dhe sigurisë në punë. Kjo është akuza e vetme dhe në thelb ai vendosi një garanci prej rreth 13,000 £ dhe u lirua me kusht.”
Gazetari tha se sipas ligjit shqiptar prokurorët kanë dy vjet kohë për të përfunduar një hetim dhe për të vendosur nëse do të dërgojnë një çështje në gjykatë.
“Unë ndaj të njëjtin shqetësim me familjen e Rebecca Gannon, duke mos qenë e informuar për shpejtësinë dhe fazën e këtij hetimi në Shqipëri. Ky është vërtet një turp i madh për drejtësinë shqiptare. Prokurorët në Shqipëri për fat të keq e nënvlerësojnë rëndësinë për t’i treguar familjes për ecurinë e hetimeve, nuk është si në Britaninë e Madhe kur ndodhi një krim dhe policia cakton një oficer ndërlidhës në familjen e viktimës. Fatkeqësisht, ne nuk e kemi këtë në Shqipëri”, tha Veliu.
George, një ish-pronar furre buke, thotë se i ka kushtuar kursimet e jetës së tij duke u përpjekur të luftojë për përgjigje në emër të vajzës së tij. Familja ka krijuar një faqe në Just Giving në përpjekje për të mbledhur fonde për kostot e tyre ligjore. Ndërkohë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar tha: “Ne po ndihmojmë familjen e një shtetasi britanik që vdiq në Shqipëri dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.