Pasi shkarkoi Alexander Medina-n, Granada zyrtarizon trajnerin e ri. Në një njoftim në rrjetet sociale, klubi ku është pjesë edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit Myrto Uzuni, ka vendosur t’i besojë drejtimin e ekipit trajnerit Jose Ramon Sandoval. Sandoval rikthehet te kjo skuadrës, pasi ka qenë në krye të Granada-s, nga maji 2015 deri në shkurt 2016.
“Klubi i Futbollit Granada ka arritur marrëveshje me Jose Ramon Sandoval Huertas, i cili rikthehet në krye të “bardhekuqve”, pasi i ka drejtuar në të shkuarën nga maji 2015 deri në shkurt 2016, duke marrë përsipër shpëtimin nga rrëzimi, një mision në dukje shumë i vështirë. Klubi mirëpret sërish Sandovalin dhe i uron atij fat të mirë“-njofton Granada.
55-vjeçari do të jetë në krye të Granada-s deri në fund të këtij sezoni, me misionin për të qëndruar në La Liga.