Për herë të parë pas 9 vitesh Elbasani sezonin e ardhshëm do luajë në Superligën shqiptare. Verdheblutë arritën të siguronin matematikisht ngjitjen në elitë pas fitores 1-0 kundër Apolonisë në javën e 29 të Kategorisë së Parë. Kur kanë mbetur edhe 4 javë kampionat Elbasani i vendit të parë është 15 pikë më shumë se Flamurtari i vendit të tretë.

Fakt është se Akademia Futbollit Elbasani do luajë për herë të parë në Superligë, pasi ky klub u krijua para 2 vitesh dhe nisi të luantë në kategoritë inferiore të futbollit në vend. AF Elbasani lindi si nevojë për të përfaqësuar qytetin në futboll, pasi klubi i vjetër KF Elbasani u shkri për shkak të borxheve dhe përplasjeve.

Për fatin jo të mirë të AF Elbasanit kjo ngjitje në Superligë nuk u festua dot me tifozët, që kanë qenë të shumtë këtë sezon në Kategorinë e Parë, duke qenë se janë të dënuar nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Bashkë me Elbasanin sezonin e ardhshëm në Superligë do luajë edhe Bylisi, që siguroi matematikisht ngjitjen pas fitores 3-2 kundër Korabit. Ballshiotët aktualisht renditet të dytët me 67 pikë, 2 më pak se Elbasani i vendit të parë.