Një ditë pasi mori dritën jeshile me 110 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë, amnistia penale vijon të trazojë politikën.
Duke kërkuar të zbatohet sa më parë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se dikush e përdori amnistinë për politikë, e dikush si akt human.

“Të bësh politikë me hallin e tjetrit është gjëja më e ulët për një qenie humane që në vend të zemrës një zot e di se çfarë ka! Si Ministër Drejtësie, sot ndihem krenar, që me durim dhe këmbëngulje, votuam ligjin e amnistisë që kaluam në qeveri me zero përfitim për subjektet e SPAK dhe GJKKO!’’ Por grupi i Lulzim Bashës vijon t’i qëndrojë argumentit se protestuesit nuk u falën dhe se përfitojnë nga kjo amnisti edhe subjektet e SPAK. Për këtë, Enkelejd Alibeaj doli në një konferencë për mediat, duke sqaruar me emra dhe mbiemra protestuesit që nuk përfitojnë.

“Me aktin e amnistisë nuk përfitojnë protestuesit. Ata vazhdojnë të enden prokurorive, gjykatavem vazhdojnë të jenë ende nën thundrën e represionit policer të kësaj qeverie. Alibeaj ironizoi edhe protestën që paralel me konferencën e tij, rithemelimi mbante në bashkinë e Tiranës kundër zyrtarëve të korruptuar.

‘Dje u amnistuan drejtorët e bashkisë dhe u ndëshkuan protestuesit, sot thirren protestuesit para bashkisë. Kjo është tallja që bëhet me protestuesit’ tha Alibeaj.

Amnistia u votua pa shumë diskutime të enjten në Kuvend me 110 vota pro, votën kundër të Agron Shehajt, abstenimin e Ermonela Felaj dhe me grupin e Bashës që nuk votoi. Nga ky grup pati vetëm dy vota pro, por në konferencë Alibeaj sqaroi se ishte çështje mos-rakordimi. Lista e përfituesve të amnistisë, ministria e Drejtësisë tha për Report Tv se do publikohet shumë shpejt.