Fitorja e kandidatit të një partie pro-kurde për bashkinë e një qyteti lindor turk, është anulluar sot nga komisioni elektoral, për t’i kaluar partisë AKP të presidentit Erdogan. Bashkia e qytetit Van ia dha mandatin kandidatit të AKP që kishte marrë vetëm 27 përqind të votës, teksa fituesit e rinj bënin thirrje që banorët “të shmangin dhunën nëse kishin në plan të protestonin.”
“Është në të drejtën e secilit të protestojë ose të grumbullohet demokratikisht, por kalimi te dhuna nuk ka lidhje me demokracinë”, tha zëdhënësi i AKP, Omer Celik. Në zgjedhjet e të dielës kandidati grupit DEM, Abdullah Zeydan mori mbi 55 përqind të votave në Van, qyteti në liqenin me të njëjtin emër, rreth 80 kilometra larg kufirit lindor me Iranin. Zeydan ka qenë më parë i deputet i parlamentit në 2015 ndërsa u arrestua në 2016 bashkë me dhjetë deputetë të tjerë që kundërshtuan bombardimet e ushtrisë turke ndaj militantëve kurdë në juglindje të vendit.
“Ne refuzojmë vendimin e komisionit elektoral për t’i dhënë mandatin e Van kandidatit të AKP kur partia jonë ka fituar bindshëm,” thuhej në deklaratën e partisë DEM. Pamje televizive tregonin protestues të shumtë në selinë e partisë DEM në Van, ku më pas policia kishte përdorurr gazlotsjellës për t’i shpërndarë.
Partia pro-kurde i bënte thirrje qeverisë së Erdogan, e cila ka pësuar disfatë kombëtare në zgjedhje, të respektojë vullnetin e popullit në Van.