Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në Ishujt Kanarie të Spanjës për të protestuar kundër turizmit masiv që ata thonë se po përmbyt arkipelagun në Oqeanin Atlantik në brigjet e Afrikës.
Sipas policisë ishin 20.000 njerëz dhe sipas organizatorëve 50.000 në kortezhe nëpër rrugët e qyteteve të ishujve Kanarie, duke fishkëllyer dhe duke brohoritur parulla kundër të pakufizuarit; turizmin.
Protestuesit mbanin pankarta që shkruanin “Kanarianët nuk janë në shitje”, “moratorium turistik” dhe “Respekto vendin ku jetoj”.
Për organizatorët e demonstratave, modeli aktual ekonomik është i dëmshëm si për banorët ashtu edhe për mjedisin. Ata kërkojnë nga autoritetet që të kufizojnë numrin e turistëve.
“Ne nuk jemi kundër turizmit. Ne kërkojmë vetëm që të ndryshojnë modelin aktual, i cili lejon rritjen e pakufizuar të turizmit”, tha një nga demonstruesit.
Të mbledhurit kërkojnë që të ndërpritet ndërtimi i dy hoteleve të reja në Tenerife, më i madhi dhe më i zhvilluari nga shtatë ishujt e arkipelagut, dhe banorët të kenë të drejtën e votës në marrjen e vendimeve për zhvillimin e turizmit.
Demonstrata mbështetëse u mbajtën edhe në Madrid dhe Barcelonë.
Të vendosura në brigjet e Afrikës së Veriut, Ishujt Kanarie tërheqin turistët me peizazhet e tyre vullkanike dhe plazhet me diell. Arkipelagu me 2.2 milionë banorë priti 16 milionë turistë vitin e kaluar.