Lindita Nikolla njoftoi te enjten se grupi parlamentar demokrat kishte vendosur të anulojë te gjithë masat disiplinore, por vendimi qe mban firmën e Gazment Bardhit për të rikthyer Sali Berishën zyrtarisht në organin që ai drejton nuk është pasqyruar në faqen e Kuvendit.
Top Channel konstaton se Kuvendi reflektuar pjesërisht shkresën që kryetari i grupit demokrat dorëzoi një javë më parë duke përfshirë disa të përjashtuar, si Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, apo dhe Tritan Shehu, por jo Sali Berishën, i cili ne faqe figuron si pjesë e deputeteve jashtë grupeve parlamentare.
I pyetur nëse kishte dijeni sepse Berisha figuronte jashtë grupit, Gazment Bardhi u shpreh: “Komunikimi i grupit parlamentar është i qartë, besoj se është një çështje e tejkaluar problematika brenda PD-së. Çdo tentativë për të zhvendosur vëmendje nga tema që janë në interes të qytetarëve për të rikthyer vëmendjen tek përçarja nuk do të marrë vëmendje tonë. Grupi i PD-së është bashkuar që në 5 shtator 2023”.
Pas shpalljes non grata të Sali Berishës nga sekretari amerikan i shtetit Blinken në majin e 2021, vendimi i parë i Lulzim Bashës ishte përjashtimi i liderit historik nga grupi parlamentar e më pas edhe nga partia.