Diheet pasioni i mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysaj, për makinat e luksit… ‘Corriere dello Sport’ raporton se Hysaj mbeti i bllokuar në makinën me vlerë 160 mijë euro kur ajo mori flakë. Incidenti ka ndodhur të hënën, por sot është raportuar.
Hysaj po udhëtonte me vjehrrin e tij, teksa ishte vetë në timonin e Ferrarit, të blerë së fundmi për 160 mijë euro. Makina mori flakë krejt papritur, ndërsa dyert u bllokuan dhe mbrojtësi kuqezi, së bashku me vjehrrin e patën të vështirë të dilnin.
Dëshmitare e skenës, nga një makinë tjetër, ishte bashkëshortja e futbollistit. Hysaj, në një prononcim të shkurtër për “Il Messagero”, bëri të ditur se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një defekt i fabrikës në momentin e prodhimit.
“Makina mori flakë në mënyrë të papritur, për fat të mirë askush nuk u lëndua. Ia dolëm që t’i shpëtonim në kohë rrezikut, besoj se bëhet fjalë për një problem të fabrikës”,- u shpreh Hysaj.