Barie Gjuni, gjyshja e cila rrëmbye nipin dhe më pas u zhduk pa gjurmë, mësohet se ka qëndruar për disa ditë tek të afërimit e saj në Kukës e më pas është larguar për t’u zhvendosur në Tiranë.
Ajo është ‘detyruar’ të dorëzojë 3-vjeçarin pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” nga gjykata për bashkëshortin e saj Rexhep Gjuni dhe të vëllanë, Arben Selaj gjatë seancës së djeshme gjyqësore.
Uniformat blu informuan se Amar tashmë është me nënën e tij, 23-vjeçaren Ile Gjuni dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
“Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore”, raporton policia.
Ndërkohë po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Deri më tani në pranga kanë rënë gjyshi i të miturit Rexhep Gjuni dhe kunati i tij, Arben Selaj.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.