Një pjesëtarit të policisë kufitare të Kosovës, mëngjesin e 3 prillit, i është djegur makina në Mitrovicë të Veriut. Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin Veri, Veton Elshani.
“Të mërkurën në orën 05:30 është djegur një veturë para një ndërtese. Nuk ka të dyshuar. Hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe hetimet janë duke vazhduar”, tha Elshani. REL mëson se bëhet fjalë për një polic të nacionalitetit serb, i cili nuk ishte larguar nga puna në nëntor të vitit 2022, kur serbët në mënyrë masive u larguan nga institucionet e Kosovës.
Largimet e serbëve nga institucionet u nxitën nga mospajtimet që ata kishin lidhur me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave të makinave, nga ato të lëshuara nga Serbia në targa RKS – Republika e Kosovës. Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, edhe në të kaluarën janë regjistruar raste të djegieve të makinave dhe pronave.
Muajin e kaluar u regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënshkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, u dogj më 8 mars. Ajo, dhe autoritetet e sigurisë, thanë se zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme. Më 24 mars u dogj një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Radosavleviq i tha REL se beson që zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.