Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi edhe pamjet e dhunës ndaj uniformave blu në protestën e djeshme, ku falë ndërhyrjes së një prej efektivëve, bomba molotov që shpërtheu, nuk shkaktoi dëme në jetë njerëzish. Veliaj tha se ka vetëm një thirrje: debatet të zgjidhen si qytetarë dhe jo duke i rrezikuar jetën të tjerëve.
“Dje para Bashkisë së Tiranës patëm një incident të vogël, ndaj dua ta falenderoj kolegun e policisë, Asllan Shyti, i cili me reflekset e një polici të trajnuar, largoi rrezikun që i kanosej atij dhe disa policëve të tjerë. Ftesa për të gjithë ata që kanë debate politike për të bërë është: mund t’i bëjmë fare mirë këto debate pa rrezikuar jetën e askujt; as të punonjësve të bashkisë, që punojnë aty prej kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës, as të Policisë së Shtetit, që pavarësisht kush është në qeveri apo bashki, do të jetë gjithmonë me uniformë për të shërbyer. Le t’i zgjidhim debatet tona si qytetarë. Nuk e djeg njeri policinë e vendit të tij nëse ka një debat për të bërë me dikë nga përfaqësuesit e politikës. Ftesa është: t’i lëmë studiot e televizionit, Parlamentin dhe Këshillin Bashkiak për debate. Siguria e jetës nuk mund të merret me sportivitet. Është një sportivitet që na karakterizon dhe te vënia e rripit të makinës, edhe te ecja me shpejtësi apo edhe trajtimi i mjeteve piroteknike si sport kombëtare, ku polici bëhet mish për top për debatet e politikës. Jo vetëm që ju jam mirënjohës dhe mezi pres që këtë bashkëpunim ta thellojmë dhe këtë raport special që kemi krijuar, për ta kthyer Tiranën kryeqytetin më të sigurt”, tha Veliaj.
Një koment për incidentin e djeshëm në protestë e pati edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se kjo është hera e fundit që tolerohet një veprim i tillë, i cili cenon jetë njerëzish, duke paralajmëruar se Kodi Penal e ka të përcaktuar qartë se çfarë dënimi meriton ai që godet punonjësit e policisë.