Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Reporterja e përgjithshme për dhunën ndaj grave të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me aleancën e Grave Deputete në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UN Women me temë “Dhuna psikologjike dhe digjitale kundër grave dhe vajzave”.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e forcimit dhe zgjerim të mekanizmave të trajtimit të dhunës në sferën kibernetike, një sfidë e madhe për të gjithë.
Ajo u shpreh se MSHMS është e gatshme për të propozuar ndryshime të tjera ligjore lidhur edhe me këtë fenomen të dhunës.
“Si ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sa i përket fenomeneve të tilla, ne sot kemi në dispozicion një kuadër ligjor që ka rritur dhe ka nxitur shërbime të reja mbështetëse të specializuara, të cilat përfshijnë ndihmën juridike falas për viktimat e abuzimit seksual dhe trafikimit, Linjën Kombëtare të Këshillimit për vajzat, Qendrën Kombëtare për trajtimin e viktimave të dhunës, Qendra dedikuar viktimave të dhunës seksuale, si dhe Qendra dedikuar fëmijëve viktima të dhunës”, deklaroi Koçiu.
Ministrja vuri në dukje se falë rritjes së vazhdueshme edhe të mbështetjes nga buxheti i shtetit, MSHMS ka rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor duke ofruar mbi 70 shërbime sociale. “Shërbime të tjera mbështetëse të cilat financohen drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, është edhe linja kombëtare telefonike 116-117, linja telefonike Alo 116, shërbime të specializuara pa pagesë, të disponueshme 24/ 7 që ofrojnë këshillim dhe shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, si dhe fëmijët e dhunuar”, shtoi ajo.
Gjithashtu, ministrja Koçiu u ndal edhe në objektivat kryesor të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore.
“E para, të përmirësojmë më tej legjislacionin, dhe për këtë jam shumë e kënaqur që ndodhem në këtë tryezë për diskutime të mëtejshme edhe për të mirëpritur sugjerimet tuaja se çfarë do duhet të bëjmë më shumë, kjo në aspekt të personave të dhunuar, mbështetjes së specializuar, por edhe mënyrës se si duhet ta trajtojmë këtë fenomen shqetësues, dhunën online. Së dyti, rritjen e aksesit në shërbimet e specializuara të individëve që vuajnë nga këto lloj fenomenesh. Së treti kemi rritjen e aksesit në drejtësi, dhe në këtë pikë, koordinimi mes institucioneve ligjzbatuese dhe institucioneve që hartojnë politika, do duhet të forcohet akoma më shumë. Dhe së fundi, jo për nga rëndësia, rritjen e ndërgjegjësimit për të përgatitur një brez të ri, ku barazia është një vlerë e kultivuar që në pikënisje, dhe ku të gjithë të rinjtë e të rejat janë patjetër “agjentë” të këtij ndryshimi”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu .