Nesër do të jetë ditë zie në Kosovë në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara. Kjo u bë e ditur ditën e sotme nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila theksoi se shoqëria do të jetë në zi çdo ditë për sa kohë do të ketë vrasje të grave dhe vajzave.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”– u shpreh Osmani.

Kujtojmë se sot në Pejë një grua u vra nga burri i saj. Ngjarja e sotme është e dyta brenda pesë ditësh. Po ashtu, më 12 prill, 21-vjeçarja Erona Cokli, u vra nga ish-bashkëshorti i saj Valon Aliu. Ngjarja e rëndë ndodhi në objektin e Qendrës për Punë Sociale.