Një person që punon për një ligjvënës gjerman në Parlamentin Evropian, është arrestuar si spiun i dyshuar i Kinës.
I dyshuari, i identifikuar vetëm si Jian G., u arrestua të hënën në Dresden, tha Prokuroria Federale e Gjermanisë në një komunikatë për media. Ai ka punuar për ligjvënësin gjerman në legjislaturën e Parlamentit Evropian prej vitit 2019, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Prokuroria nuk tregoi se për cilin ligjvënës punon ai, por transmetuesi publik gjerman, ARD, dhe revista Der Spiegel, raportuan se ai është i angazhuar nga Maximilian Krah, anëtari i partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.
Maximilian Krah është kandidati kryesor i partisë gjermane për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në qershor, raporton Radio Evropa e Lirë.
Jian G. akuzohet se punon për shërbimin inteligjent të Kinës dhe se vazhdimisht i ka dhënë informata asaj për bisedimet dhe vendimet në Parlamentin Evropian në janar. Prokurorët e akuzojnë gjithashtu edhe për spiunimin e disidentëve kinezë në Gjermani. Lajmi për arrestimi e tij u bë i ditur një ditë pasi u arrestuan tre gjermanë të dyshuar si spiunë të Kinës në një rast tjetër. Ata dyshohet se i kanë dhënë asaj informata të teknologjisë.