Europol publikoi sot hartën e 821 rrjeteve kriminale “më kërcënuese ” të Evropës.
Në këtë raport Europol përshkruan me detajeë punën e brendshme të bandave kriminale me aktivitete që variojnë nga tregtia e drogës deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Shërbimi Policor Evropian, me seli në Hagë, ka publikuar një raport i cili për herë të parë “ekzaminon në thellësi” operacionet e rrjeteve më të famëkeqe të Europës.
Raporti nënvizon ” strategjinë e përdorur nga rrjetet kriminale për të depërtuar në botën e atrukturave ligjore, si një mjet për të kryer krime, duke i përdorur ato si një “perde” për të mbuluar krimet dhe si një mjet për të pastruar të ardhurat e krimit”.
Sot, rreth 86% e bandave kriminale më të rrezikshme të Evropës përdorin “struktura legjitime biznesi” .
Sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme, ai i hotelerisë dhe i logjistikës janë objektivat më të shumta të bandave.
Bandat preferojnë sektorin e pasurive të paluajtshme si mjet pastrimi dhe i drejtohen avokatëve ose ekspertëve financiarë “të cilët në disa raste nuk janë në dijeni të origjinës kriminale të fondeve”, sipas raportit të Europol.
Sipas Europol, lokalet e natës janë të lidhura me trafikun e drogës dhe zhvatjes, si dhe me trafikun e qenieve njerëzore dhe armëve.
Në sektorin e logjistikës , veçanërisht në portet kryesore evropiane, punonjësit e sektorit privat janë “sistematikisht” në shënjestër të korrupsionit, sepse ata mund të “lehtësojnë aksesin e papenguar në porte dhe mekanizma portuale”.
Shumica e bandave më të rrezikshme të Evropës fokusohen në tregtinë e drogës – kokaina, kanabisi, heroina dhe drogat sintetike – dhe operacionet e tyre janë të përqendruara kryesisht në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë.
Dubai është kthyer në një “qendër koordinimi në distancë”, ku banojnë anëtarë të rangut të lartë të hierarkisë së bandave për të shmangur zbulimin nga forcat e rendit.
“Megjithatë, nëse shikojmë vendndodhjen gjeografike të krerëve të rrjeteve kriminale, Dubai nuk duket si një strehë e izoluar”, thuhet në raport.
Shumë prej rrjeteve kriminale më të rrezikshme operojnë prej vitesh. Një e treta kanë funksionuar për më shumë se një dekadë, ndërsa disa kanë arritur t’i mbajnë operacionet e tyre nga burgu.
“Vëmendja e forcave të rendit duhet të mbetet e përqendruar në rrjetet kriminale të njohura prej kohësh, edhe nëse ato janë nën mbikëqyrjen e policisë dhe edhe nëse janë ndërmarrë veprime tashmë kundër tyre”, thotë Europol.
Gjate dites sot do të mbahet një konferencë për shtyp për të prezantuar gjetjet e këtij raporti./