Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se Evropa po përballet me një kërcënim ekzistencial nga agresioni rus, duke bërë thirrje që kontinenti të miratojë një strategji “të besueshme” të mbrojtjes dhe të varet më pak nga Shtetet e Bashkuara. Ai e përshkroi sjelljen e Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, si “të papërmbajtshme” dhe tha se më nuk është e qartë se ku janë “kufijtë” e Moskës. Macron po ashtu ngriti alarmin për atë që e përshkroi si mosrespektim të rregullave ndërkombëtare të tregtisë nga SHBA-ja dhe Kina, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë politikën e tij tregtare.
“Evropa jonë sot është e vdekshme dhe mund të vdesë”, tha ai.
“Mund të vdesë dhe kjo varet nga zgjedhjet tona”, tha Macron, duke paralajmëruar se Evropa nuk është “e armatosur kundër rreziqeve me të cilat ne përballemi” në botë ku “rregullat e lojës kanë ndryshuar”. “Gjatë dekadës së ardhshme… rreziku do të jetë i madh që Evropa të dobësohet”, shtoi ai, duke theksuar edhe rrezikun që vjen nga Irani, nëse shteti siguron armë bërthamore.
Macron udhëheq konceptin e autonomisë strategjike evropiane në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, duke argumentuar se Evropa duhet të përballet me krizat sikurse lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pa u varur nga SHBA-ja. Ai bëri thirrje që Evropa të marrë në duar fatin e saj, duke thënë se në të kaluarën kontinenti varej nga Moska për energji dhe nga Uashingtoni për siguri.
Macron tha se është e nevojshme që Evropa të forcojë sigurinë, në mënyrë që Rusia të mos e fitojë luftën kundër Ukrainës.
“Ne duhet të ndërtojmë këtë koncept strategjik të mbrojtjes së besueshme evropiane për veten tonë”, tha presidenti francez. Ai tha se muajt e ardhshëm do të kërkojë nga partnerët evropianë që të bëjnë propozime për këtë çështje, duke shtuar se Evropa duhet të ndërtojë kapacitetet e veta për mbrojtje në fushën kibernetike./ rel