Zgjedhjet e djeshme lokale në Turqi kanë shkaktuar lëvizje tektonike. Për herë të parë pas 20 vitesh opozita turke është në epërsi gati kudo në vend ndaj partisë AKP të Rexhep Taip Erdoganit, i cili qeveris Turqinë prej më shumë se dy dekadave.
Prej një politikani premtues dhe reformator, Erdogan ndërkohë është shndërruar në një plak idhnak e hakmarrës, me tendenca të dukshme autoritare. Shumica e turqve – sidomos të rinjtë – duket se janë lodhur me qeverisjen e AKP-së. Këtë e tregoi edhe debakli i Erdoganit të dielën. Opozita jo vetëm që i mbrojti me sukses qytetet si Stambolli e Ankaraja, por mposhti partinë e Erdoganit edhe në qytete të tjera të mëdha, edhe në Anadoll madje.

Partia e Mustafa Kemal Ataturkut CHP tani është forca më e fuqishme politike në vend. Para zgjedhjeve, Erdogan u mundua t’i bind turqit të votojnë për kandidatin e tij në Stamboll. Murati Kurumi, kandidati i AKP-së së Erdoganit, pësoi humbje spektakulare. Kryetar i Stambollit mbetet Ekrem Imamoglu, i cili ka gjasa të mira që në vitin 2028 të trashëgojë Erdoganin (nëse ky nuk largohet edhe më herët nga politika). Para zgjedhjeve lokale të së dielës, Erodgan kishte thënë se këto janë zgjedhjet e tij të fundit, pasi që nuk do të kandidojë më.

Një lajm i mirë. Demokracia turke është e gjallë. Dhe qindra të burgosur politikë mund të shpresojnë se një ditë jo të largët do të dalin në liri. Mes tyre me prominenti është filantropi Osman Kavalla. (E.Robelli)