Shkodër, 19 Prill – Sot u nënshkrua marrëveshja për Kartën e Studentit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Shkodrës.
Ministrja Ogerta Manastirliu tha se Karta e Studentit nuk është vetëm një mjet për të ofruar tarifa të reduktuara dhe shërbime falas, por një përpjekje për të sjellë një ndryshim cilësor në jetën e studentëve.
“Me firmosjen e marrëveshjes për kartën e studentit për studentët e Universitetit të Shkodrës, do të garantohen më shumë mundësi për shërbime falas apo me tarifa të reduktuara për aktivitetet social-kulturore, sportive, shërbimet, etj., por me këtë bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, jam e bindur që bashkia do të ketë një rol të rëndësishëm edhe për ndërmjetësimin për punësim për studentët”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen studentore, Manastirliu u shpreh:
“Mbështesim mbi 50 mijë studentë me bursa, heqje apo reduktim tarifash. Financojmë 18 milion euro për mbështetjen studentore”, tha Manastirliu.
Duke folur për bursat sa paga minimale për studentët, Manastirliu tha: “Krahasuar me vitin e kaluar, kemi dyfishuar numrin e bursave të studentëve të degëve prioritare. Janë 334 studentë të universiteteve tona, ku përfshihen studentët ekselentë dhe studentët e degëve prioritare që përfitojnë bursa sa paga minimale. 50% e studentëve të degëve prioritare, kanë zgjedhur programet e mësuesisë”, tha Manastirliu.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci shprehu vlerësimin për këtë iniciativë të rëndësishme për të rinjtë në Shkodër dhe gjithashtu njoftoi për fillimin e programit të startup-eve për të rinjtë.
“Kjo nuk është thjeshtë një kartë, por me vete mbart një plane pune dhe një plan shërbimesh për studentët. Ne kemi edhe një fond të bashkisë për start-up dhe kemi kërkuar nga studentët që projektin për ndarjen e fondeve ta bëjmë me studentët si një ushtrim i parë për të bërë real një projekt konkret, për të marrë fondet dhe kjo është një mënyrë që ne e shohim universitetin si partner”, tha kryetari i Bashkisë Benet Beci.
Programi i Kartës së Studentit është vetëm një pjesë e iniciativave të gjera që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri.
Përfshirja e kredisë studentore, që mbulon kostot e studimeve dhe të jetesës, dhe bursat për studentët që ndjekin degët prioritare janë disa nga këto masa.
Në takimin me pedagogët dhe studentët e Universitetit të Shkodrës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për rëndësinë e mbështetjes për studentët dhe përqendrimin në degët prioritare.
Në takim, u theksua se 716 studentë të këtij universiteti përfitojnë nga përjashtime ose reduktime të tarifave shkollore, dhe 549 prej tyre që marrin bursë studimi.