Këshilli Bashkiak i Tiranës ka sqaruar sot se arsyeja e rrëzimit të kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e opozitës në lidhje me zhvillimin e një mbledhje urgjente të këtij këshilli, ka ardhur si pasoje e mungeses se firmave të nevojshme.

Në faqen zyrtare të Këshillit Bashkiak thuhet se kërkesat e paraqitura nuk përmbanin numrin e firmave minimale të kërkuara nga rregullorja për thirrjen e një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak. “Mbledhja e kryesisë së këshillit bashkiak Tiranë e zhvilluar më datë 22 prill, ora 17:00 në përfundim të diskutimeve vendosi rrëzimin e kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e pakicës në këshillin bashkiak në lidhje me zhvillimin e një mbledhje urgjente të këtij këshilli. Kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e pakicës në këshillin bashkiak Tiranë nuk plotësonin kriteret e nenit 22, shkronja “b” të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë”, ku përcaktohet se këshilli mblidhet jashtë radhe me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të tij. Kërkesat e paraqitura nuk përmbanin numrin e nënshkrimeve të kërkuar nga rregullorja për thirrjen e një mbledhje jashtë radhe të këshillit bashkiak”, thuhet në njoftim.

Kryesia e Këshillit Bashkiak vendosi gjithashtu rrëzimin e kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet në Bashkinë e Tiranës dhe auditin e brendshëm të saj.
Në njoftimin e Këshillit Bashkiak nënvizohet se në përputhje me parashikimet e rregullores së këshillit bashkiak, ky këshill mund të krijojë vetëm komisione të përkohshme pune studimore ose për përgatitje projektvendimesh në fusha të caktuara që i shërbejnë interesit publik vendor, duke e nxjerr jashtë parashikimeve ligjore kërkesën e paraqitur nga anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak.

“Këshilltarët e grupit të Partisë Socialiste shprehën mbështetjen për punën e organit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ftuar edhe përfaqësuesit e grupeve të opozitës të mbështesin publikisht dhe inkurajuar hetimet e mëtejshme dhe të mos ndërhyjnë në kompetencat e organeve të specializuara në luftën kundër korrupsionit. Propozim ky i cili nuk gjeti mbështetje nga përfaqësuesit e tjerë të grupeve politike në kryesinë e këshillit bashkiak”, thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit Bashkiak.