Deputeti demokrat Dashnor Sula ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ku tha se për fat të keq opozita është një “mozaik i paplotësuar”. Sipas tij fakti që opozita është e përçarë, do bëjë që ajo të jetë e destinuar që të humbasë zgjedhjet në 2025. Sula tha se lëvizjet në kampin opozitarë, ndarjet dhe bashkimet kanë bërë që votuesit e Partisë Demokratike të përçahen, gjë që mund të reflektohet edhe me votë.

“Fatkeqësisht sot si zoti Berisha, Basha, Meta apo të tjerë, nuk po arrijnë të kuptojnë se kështu siç janë të copëzuar, janë të shkatërruar dhe të destinuar të dështojnë. Bashkimi i Metës me Berishën nuk mjafton. U bë gjë e mirë, por kjo ngeli në tentativë. Po të shikosh, lart sikur është bërë bashkimi, por poshtë është e ndarë në katërsh jo në dysh. Fryma duket se është shuar”,-tha Sula.