Plani për vrasjen e Dorian Dulit, Blerti Cafit, Gëzim Cafit dhe Genci Tafilit, pas ceremonisë së varrimit të Indrit Rrajës në Fushë-Krujë, përputhet dhe në deklarimin që ka dhënë në SPAK, njëri nga shënjestrat e këtij atentati, Genci Tafilaj.
Tashmë dosja hetimore e konsideruar si “Metamorfoza”, ku individë të botës së krimit, biznesmenë, efektivë policie dhe Drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, janë marë të pandehur dhe dërguar në gjykatë për akuza të ndryshme.
Për të provuar një seri vrasjesh dhe sigurim të kushteve për të kryer ekzekutime, SPAK nuk i janë mjaftuar vetëm komunikimet në aplikacionin “Sky eç”, por hetimet janë shtrirë dhe tek dëshmitarë të ndryshëm.
Genci Tafilaj, njëri nga shënjestrat e grupit të drejtuar nga Behar Bajri, është marë gjatë në pyetje, duke pohuar në SPAK se ka qënë prezent në varrimin e Indrit Rrajës, së bashku me Dorian Dulin, Blerti Cafin dhe Gëzim Cafin.
Behar Bajri, kishte kontraktuar Aleks Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacion lidhur me vendodhjen e Dorian Dulit apo Genc Tafilaj. Çdo të dhënë të mbledhur, Ndreka dhe Kodra ja çonin përmes “Sky” Behar Bajrit, ndërsa ky i fundit mobilizonte celulën e vrasësve, të cilën e mbante në gadishmëri së bashku me armët dhe makinën.
Për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, në 9 Prill 2024 SPAK ka pyetur Genc Tafilaj, një të dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë Shkodër, Arben Zylyftaraj.
“Ora News” zbardh ekskluzivisht dëshminë e Tafilajt, i cili ka treguar se:”…në varrimin e Indrit Rrajës, ka qenë edhe Aleks Ndreka i cili është afruar dhe më ka takuar së bashku me Dorian Dulin…”.
Genci Tafilaj shpjegon se ai ka vajtur në takim me autoveturë tjetër dhe se është larguar nga varrimi me autoveturë tjetër.
Ndër tjera ai deklaron se:”…dua të them unë kam marrë pjesë në varrimin e shtetasit të ndjerë Indrit Rraja në këtë datë dhe se tek kjo ceremoni mortore kam shkuar bashkë me shtetasit Dorian Duli, Bardhok Plani, Blert Cafi, Gezim Cafi dhe disa nipa dhe kushëri të tjerë që ishin bashkë me ne.
Unë për të shkuar tek kjo ceremoni mortore jam nisur nga Tiranë bashkë me bashkëshorten time aktuale me makinën time ngjyrë të bardhe i modelit CLE.
Ndërsa Dorian Duli, Blert Cafi, Gëzim Cafi dhe personat e tjerë lidhje tonat kanë udhëtuar nga Shkodra në drejtim të Fushë-Krujës, por nuk e mbaj me çfarë automjetesh kanë qenë ato.
Kur jam afruar në zonën ku do bëhej varrimi, Doriani ka kërkuar që të lej makinën time pak larg dhe më ka dërguar një shok tonin që të vinte të më merrte dhe këtë veprim e kam kryer me qëllim që të mos ekspozoja makinën time.
Gjatë ceremonisë mortore unë kam qëndruar afër me Dorian Dulin, Blerti Cafin, Gezim Cafin, Bardhok Planin dhe lidhjet tona.
Ndërkohë që kam vënë re që në këtë ceremoni mortore kishin marrë pjesë shumë persona që njihnim por ndër ta mbaj mend që ishte edhe Aleks
Ndreka, i cili u afrua dhe na dha dorën mua dhe personave që ishin me mua…. Pasi ka mbaruar varrimi ne kemi marrë pjesë edhe në drekë por nuk mbaj mend nëse Aleks Ndreka ka qënë në drekë.
Mbas drekë unë i kam thënë gruas që të ikte për Tiranë, ndërsa unë kam hipur tek makina e Bardhokut ose Blertit dhe kemi ikur në Shkodër.
Në drejtim të Shkodrës, kemi udhëtuar rreth 10 makina të gjithë bashkë dhe nuk jam i sigurtë por mbaj mend që kemi shkuar tek lokali i Blert Cafit, qëndruar pak aty dhe kemi shkuar në shtëpi….”.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Ora News” Behar Brajoviq alias Bajri, për planin e sulmit me armë ka njoftuar Pëllumb Gjokën në lidhje me vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, në ceremoninë e varrimit të Indrit Rraja.
Më datë 22 gusht 2020 Aleks Ndreka merr pjesë në varrim dhe i dërgon informacion Prekë Kodra në lidhje me faktin që Dorian Duli ndodhej në ceremoninë e varrimit bashkë me Ibrahim Lici dhe Genc Tafilaj.
Aleks Ndreka gjithashtu ka dhënë informacion për veshjet që kishte Dorian Duli por nuk ka arritur të fiksojë automjetin që Doriani kishte në përdorim.
Behar Bajri, u përgatit për ta kryer vrasjen në momentin kur Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, të ishin duke u larguar nga ceremonia e varrimit por për shkak se nuk ishte i sigurt për automjetin me të cilin po udhëtonin Doriani dhe Ibrahimi, nuk e realizoi vrasjen.
Ai u shpreh që ishin të gjithë gati për të realizuar vrasjen por nuk ishte i sigurtë për automjetin dhe për këtë arsye e anulloi vrasjen me qëllim që të mos vriste njerëz të tjerë.
Në dosjen hetimore thuhet se:”…në vazhdimësi të komunikimeve të datës 22 gusht 2020, Aleks Ndreka dhe Prekë Kodra, shprehen që ata (Objektivat) do marrin pjesë edhe në të 7-at e ceremonisë së varrimit dhe aty mund të jetë një tjetër rast i mirë për realizmin e vrasjes…”.
Aleks Ndreka ose siç thiret ndryshe si “Leksi i druve” i tregon Prekë Kodra që Dorian Duli, i ka kërkuar që ti gjejë një motorr për një skaf dhe se Aleksi do t’ja siguroj dhe do t’ja montoj.
Prekë Kodra i sugjeron që ti vendosim një GPS tek motorri por Aleks Ndreka i shprehet që është më e thjeshtë që ti afrohen po të jenë të veshur me rroba policia kufitare dhe të relizojnë vrasjen.
Sipas SPAK ky moment provohet edhe me deklarimin e Genci Tafilaj të dhënë në 9 Prill, ku i pyetur nëse njihet me shtetasin Aleks Ndreka ndër tjera ai ka deklaruar se:
“…dua të them që unë në periudhën kur isha në kontakt me Aleks Ndrekën kam pasur dijeni që ai merrej me tregëti të motorrave të skafeve, gjeneratorëve etj.
Për katë arsyeje unë i kam kërkuar që të më siguronte një motorr për një skaf me qëllim që të bëja xhiro në liqenin e shkodrës. Aleksi është treguar i gatshëm që të ma gjente madje mbaj mend që më ka thënë hajde se e ke gati.
Por në këtë periudhë unë kam qenë jashtë shtetit dhe Aleksi ka mbajtur komunikim me shokun tim, Dorian Dulin…”.
Po ashtu në dosje thuhet se në datën 14 shkurt 2021 zhvillohet në “Sky” një komunikim midis Bardhyl Mavraj dhe Nuredin Dumanit, ku evidentohet se Bardhyl Mavraj i ka kërkuar Nuredin Dumanit vrasjen e një personi që i referohet me emrin “Dori”, në këmbim të pagesës.
Nuredin Dumani, në lidhje me këtë kërkesë, komunikon me nje person tjetër, i paidentifikuar nga hetimi, për të caktuar çmimin duke i thëne personit se pagesa do jetë vetëm për një person por do të vriten dy persona, njëri prej të cilëve i thirrur “Tafili”.
Në fakt personi që SPAK e çuan të paidentifikuar ai është identifikuar por ndodhet në Itali./