Nedim Bajrami ngjitet në katedër me një asist dhe një gol në transfertën ndaj Salernitanës, aty ku Sassuolo mori vetëm një pikë, pasi nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2.
Fantazisti shqiptar bëri gjithçka mirë në minutat e fundit të pjesës së parë, duke u dhënë emilianëve avantazhin e dyfishtë, që më pas u shpërdorua në pjesën e dytë, me Sassuolon që la dy pikë mjaft të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Nedim Bajrami ishte padyshim më i vlerësuari në këtë takim, duke marrë notën 7.5, teksa në përshkrim evidentohet fakti që me prekjet e tij bëri diferencën.
“Niset ngadalë, por jep një asist perfekt për Laurentie dhe më pas shënon vetë me pasimin e Pinamontit”, thuhet në vlerësimin për Bajramin.
Disa minuta në fushë edhe për mbrojtësin kuqezi, Marash Kumbulla, i cili është vlerësuar me notën 6, teksa ndeshja e tij cilësohet si një tjetër hap drejt rikuperimit të plotë.