Erling Haland do ta ketë më të vështirë në këtë sezon të fitojë trofeun e golashënuesit më të mirë të Premier Ligës.
Norvegjezi fitoi çmimin në sezonin e tij të parë tek “citizens” pasi shënoi plot 36 gola, një shifër e vështirë për t’u arritur këtë sezon, kur kanë ngelur dhe 8 ndeshje në fund të kalendarit, me sulmuesin i cili gjithsesi qëndron në krye të renditjes me 18 gola.
Por duket se beteja për kryegolashënuesin ka marrë një tjetër ritëm ndeshjet e fundit me norvegjezin që ka ngecur në vend dhe me shokun e tij të skuadrës.
Fil Foden, në një formë fenomenale. Anësori i kampionëve të Europës në fuqi realizoi dje tregolëshin e dytë sezonal në Premier Ligë duke shkuar tashmë në kuotën e 14 golave dhe duke vendosur kështu në presion shokun e tij të skuadrës, që i shtohet edhe kritikave që ky i fundit ka marrë nga analistët në ishull.
Nga ana tjetër, në ndjekje të Haland është dhe egjiptiani i Liverpulit, Mo Salah, i cili momentalisht qëndron në kuotën e 16 golave. Egjiptiani, fitues i tre trofeve si golashënuesi më i mirë në Angli, qëndron ethshëm në gare për të vendosur rekord me “të kuqtë” që kanë zhvilluar një ndeshje më pak se rivalet nga Mançesteri.
Pikërisht ata do të zbresin sonte në fushën e gjelbër ndaj skuadrës më të dobët të kampionatit anglez dhe në letër kjo ndeshje ngjan me një stërvitje për të besuarit e Jurgen Klop me egjiptianin, që ka një mundësi mjaft të mirë për të barazuar ose për të kaluar në vendin e parë të klasifikimit për “Këpucën e Artë”.
Por nuk duhen harruar dhe emra të tillë si: Dominik Solanke, i cili është duke kaluar sezonin më të mirë në karrierë me Bornmuthin, Olli Uotkins i Aston Vila, me këta të fundit në luftë deri në fund për një biletë Champions, si dhe koreani i Totenhem, Hung-Min Son. Kur kemi hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit më të bukur në botë, gjithçka mbetet për t’u shijuar dhe për të parë se kush do të arrijë të marrë me vete në shtëpi trofeun e “Këpucës së Artë”.