Partia ‘BJP’ e kryeministrit indian Narendra Modi llogaritet si partia më e madhe në botë me 180 milionë anëtarë dhe kërkon mandatin e tretë, pas dhjetë vjetëve në pushtet.

970 milionë njerëz në Indi do të hedhin votën e tyre në gjashtë javët në vijim, në një proces ‘monumental’ që do të përfshijë 1.5 milionë pika votimi që pritet të monitorohen nga rreth 15 milionë zyrtarë zgjedhorë.

Ligji elektoral kërkon që çdo pikë votimi të mos jetë më larg se 2 km nga banesa e zgjedhësit kështu që kutitë duhet të transportohen në rajone të largëta pranë komuniteteve.

Megjithë një aleancë mes partive opozitare, BJP në pushtet pritet të fitojë lehtësisht sipas sondazheve.

India ka pësuar transformime pozitive të rolit në skenën botërore me zhvillim në tregti e influencë gjatë qeverisjes së Modi, i cili ka zgjeruar të drejtat e grave dhe ka nxitur proceset dixhitale në sektorë të ekonomisë.

Zyrtarët vendas thonë gjithashtu se kanë instaluar 110 milionë tualete të reja publike dhe se kanë modernizuar legjislacionin në disa fusha.

Por kritikët e akuzojnë se kanë avancuar gjithashtu politika përçarjeje sidomos me polarizimin fetar ndaj minoritetit musliman në vend.

Sfiduesit kryesorë të Modi janë ‘Kongresi Kombëtar Indian’ që kishin qenë në pushtet para daljes në skenë të Modi.

Ata janë të lidhur me dinastinë e heroit indian të pavarësisë Indira Gandhi, i biri i të cilit Rajiv ka shërbyer më parë si kryeministër.

Partia e Kongresit nisi fushatën e saj me sloganin “të shpëtojmë demokracinë” dhe me zotimet se nëse fitojnë do të kryejnë një “rishpërndarje masive të pasurisë”.

Krimi dhe rendi janë të tjera aspekte të rëndësishme që influencojnë votuesit, ashtu si dhe bujqësia që është burimi kryesor i jetesës për më shumë se 55% të popullatës së Indisë./Express.co.uk/