Klasifikimi i përgjithshëm ka filluar t’i buzëqeshë Lecces pas fitores së pastër të arritur në fushën e Sassuolos, mirëpo situata në ekipin puljez nuk është aq e qetë sa u përket mungesave.

Përmes një shënimi të shkurtër, zyra e shtypit e klubit të Lecces ka bërë të ditur se futbollisti shqiptar, “Ylber Ramadani, është i padisponueshëm për ndeshjen e së shtunës. Ditët e fundit atij i është shfaqur një infeksion në qafë, që i ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrje.

Mesfushori iu nënshtrua menjëherë testeve dhe terapive të specializuara që e ndihmuan të shmangte operacionin. Deri më sot ai e ka kapërcyer fazën akute dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit Gotti.
Më tej, anësori ofensiv Banda, i cili vuan nga dhimbjet e gjurit të djathtë, sot do t’i nënshtrohet një operacioni në Perugia, të cilin do ta kryejë profesor Cerulli.”

Ramadani konsiderohet lojtar kyç në formacionin e Lecces, teksa gjatë sezonit aktual është aktivizuar në 30 ndeshje të Serisë A, në të gjithë si titullar, si dhe ka shënuar një gol, atë të fitores 2-1 përballë Frosinones me 16 dhjetor.