Cikli i Inzaghit është në gjysmën e rrugës. Ky ishte refreni i drejtuesve të Interit në ditën e festës së madhe të titullit kampion.
Fjalë të thënë nga Marotta dhe Ausilio, por të ngulura në mendje nga presidenti Steven Zhang. Dhe pas festës do të vijë planifikimi për të ardhmen, me kontratat që duhen diskutuar për shumë protagonistë. I pari do të jetë trajneri Simone Inzaghi, që do të firmosë një kontratë deri në vitin 2027. Mungon vetëm zyrtarizimi që do të vijë shumë shpejt. Trajneri do të ketë një rrogë 6.5 milionë euro në sezon. Dëshira e tij është të vazhdojë me zikaltrit, ashtu si edhe këta të fundit kërkojnë ta blindojnë trajnerin.

Pas trajnerit do të jetë momenti për Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez dhe afrimet për sezonin 2024-2025, që do të jetë një vit ndryshe nga të tjerët me një Botëror Klubesh pas përfundimit të sezonit. Për kapitenin (Lautaron) dhe zëvendëskapitenin (Barella) po mendohet rinovimi deri në vitin 2029 dhe detajet do të vijnë kur Zhang të mbyllë marrëveshjen me fondin PIMCO.

Marrëveshja me mesfushorin italian është arritur në javët e shkuara për rrogën 7 milionë euro në vit mes pagesës fikse dhe bonuset.
Për Lautaron duhen zgjidhur ende disa kleçka të vogla në kontratë për të arritur tek 9 milionë eurot e kërkuara nga futbollisti. Por sigurisht që duket se në fund do të ketë një shtrëngim duarsh mes palëve për të vazhduar.

Merkatoja në hyrje ka nisur me afrimin e dy futbollistëve si Mehdi Taremi dhe Piotr Zielinski. Ndërkohë që ëndrra e madhe është Joshua Zirkzee. Për holandezin e Bologna duhen shumë miliona, të paktën 50 milionë.
Është një lëvizje që kërkon shpikjen e Marotta dhe Ausilio, të cilët kanë nisur të mendojnë diçka për të bërë një goditje të madhe për verën.

Mund të largohen shumë lojtarë të rinj, por ndoshta do të sakrifikohet edhe Denzel Dumfries. Ky i fundit duhet të kthejë përgjigje nëse do të rinovojë kontratën apo jo.