Një qytetar nga Kavaja tregoi në “Stop” se si martesa e tij e parë përfundoi me një fatkeqësi, pasi bashkëshortja ndërroi jetë në tragjedinë e Gërdecit. Ai u martua sërish dhe qëndroi në martesë për 16 vjet.

Zotëria shpjegon se ka dy fëmijë, një vajzë 14 vjeçe dhe një djalë 12 vjeç. Një mbrëmje u kthye në shtëpi dhe e gjeti gruan duke e tradhtuar me nipin e tij.

Situata degjeneroi në dhunë dhe gruaja e denoncoi për dhunë, gjë që bëri që qytetari të bëjë edhe burg.

“Në vitin 2021 zonjën unë e kam kapur në tradhti në shtëpi. Aty kanë qenë edhe fëmijët. Para se të vija në shtëpi, më binte zonja në telefon, herë pas here. U nisa drejt shtëpisë. Ky (nipi) në këtë moment, pa u afruar tek shtëpia, po vinte me biçikletë, ora 10:30, 11:00 e natës. U fsheha. E ndoqa dhe ky u fut tek shtëpia ku jetoja me bashkëshorten. Në këtë moment u ndez drita e dhomës së gjumit. Kam futur çelësin unë, u hap dera. Në momentin kur u hap dera ky zotëria ka dalë nga dhoma e gjumit dhe ka hyrë në raft. Kam hapur raftin, e kam gjetur nipin të mbledhur aty brenda në raft të rrobave. Unë përfundova në burg. Më denoncoi për dhunë dhe ma kaloi dhunë në familje”, tha denoncuesi.

Pas daljes nga burgu çifti u bashkua për dy muaj për hir të fëmijëve. Por bashkëshortja u largua drejt Italisë bashkë me vajzën e mitur, pa prokurën e të atit.

“Ajo u largua nga shtëpia dhe të dy fëmijët m’i la mua. Gjatë kohës që ishim bashkë u largua dy herë në Itali. Ka ardhur dhe ka marrë në mënyrë të fshehtë gocën, është larguar. Nuk di gjë fare se ku kanë shkuar. Shkova tek shkolla, mos keni marrë ndonjë të dhënë që goca është regjistruar diku tjetër. Në mënyrë kategorike drejtoresha e shkollës më tha jo. Çantën e librave e kishte lënë në shtëpi. U interesova në komisariat të Kavajës dhe të cilët më thanë që ka dalë jashtë shtetit, së bashku me vajzën.

Unë personalisht nuk kam firmosur asnjë letër, asnjë prokurorë që goca të shkojë drejt Italisë. Nga Marsi 2023 e deri tani nuk kam asnjë kontakt me fëmijën. Ajo përderisa më ka tradhtuar dyshoj që fëmijën mos ma merr për gjëra të tjera. Nuk kam besim. Për këtë e kërkoj fëmijën. Nuk e kërkoj se është me mamin e vet se me mamin e vet le të rrijë edhe çunin nuk e refuzoj ku do të rrijë se është e drejta e tyre, ama unë duhet ta di fëmijën se ku është fëmija. Për atë fëmijë nuk bëj gjumë natën. Malli më ka marrë sepse është gjaku i trupit tim, fëmija im. E kam rritur me halle, me vuajtje, jo me poshtërsira. Vëllai për motrën qan, më ka marrë malli për motrën thotë, nuk më ka marrë malli për mamin. Dua motrën”, tregon denoncuesi.

Punonjësi i policisë në komisariatin e Rinasit, Kristjan Zmali e ka kaluar zonjën të papajisur me prokurë. Pas alarmit të të atit, ka kërkuar ta mbyllë çështjen duke i dërguar një të afërm për t’i dhënë para në dorë që të tërhiqte denoncimin. Mirëpo marrëveshja nuk u arrit pasi denoncuesi nuk ishte dakord , por punonjësi i policisë zgjodhi një rrugë tjetër. Këtë na e tregon ndërmjetësi.

Ndërmjetësi: Tani, unë edhe me i thënë, nuk dëgjon më Kristi, të vijë të të takojë.

Denoncuesi: Po pse o vëlla ai kur pati hall erdhi aty.

Ndërmjetësi: Ai erdhi për të mbaruar punë dhe për të zgjidhur hallet edhe ti, edhe ai. Ti s’deshe. T’i japësh zgjidhje me shtet, sikur e ke nisur!

Denoncuesi: Tani ai e ka mbyllur tek prokuroria?

Ndërmjetësi: Po, po. Ka mbaruar punë ai.

Denoncuesi: I ka bërë të gjitha pagesat e krejt?

Ndërmjetësi: Po, po, ka mbaruar punë.

Denoncuesi: I ka dhënë lekët?

Ndërmjetësi: Po, po, po, po!

Denoncuesi: Sa lekë a di gjë?

Ndërmjetësi: Nuk e di, për Zotin e madh! As nuk e kam pyetur, as nuk kam në plan ta pyes për atë lloj pjese. Që në datë 12, ai ka mbaruar punë. E ka çuar shkresën në prokurori. E ka bërë raport shërbimin. Ai burri i huaj, do të pastrojë figurën e vet dhe prandaj të erdhi në Kavajë dhe të tha: “Hape gojën, sa të duash ti, unë të ndihmoj”.

Denoncuesi: Si e pastronka figurën e vet kur një kohë më ka kaluar fëmijën jashtë shtetit dhe mua nuk më jep asnjë lloj informacioni?

Ndërmjetësi: Nuk ka informacion, se të ketë ta jep, se nuk ka ku shkon pa e dhënë. Se me pas informacion, ai mbaron punë vetë.

Denoncuesi: Përderisa ia ka hedhur vulën në pasaportë ai edhe e ka kaluar pa prokurë puna e tij si e ka kaluar.

Ndërmjetësi: Le të shkojë në burg, se një gjë do bëhet, se nuk ka nga me ia mbajt.

Denoncuesi: Sa lekë do më jepte mua ai ta kishim mbyllur këtë punë?

Ndërmjetësi: Ai, po ta kishe tërhequr denoncimin ti, 2000-3000 euro, t’i kishte dhënë, e sigurtë.

“Stop” zbuloi se zonja në fjalë ka shkuar në Itali për të kërkuar azil. Qytetari shkoi të interesohet në prokurori dhe i thonë, se çështja është nën hetim, ndaj ai duhet të paraqitet vetëm kur ta thërrasin.

Qytetari: Çfarë është bërë me atë zotërinë, që e ka kaluar?

Punonjësja: S’është bërë asgjë, sepse çështja i ka kaluar prokurorisë. Kur të thërrasi prokurori ty, do vish këtu! Kur të thërrasë zonjën, do vijë këtu. Tek Prokuroria e Durrësit vjen vetëm me fletë-thirrje dhe me telefonatë. Kur vjen çështja në prokurori, kalon nën hetim.

Qytetari: Mua ma ka kaluar në mënyrë të fshehtë.

Punonjësja: Vazhdo, se e di policia atë! Vazhdo! Kur të njoftojmë me telefonatë, me fletë-thirrje, do vish në prokurori!