Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Avokatët e Berishës dhe Malltezit kanë bërë kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, por Apeli ka vendosur që të rrijë në fuqi vendimi i shkallës së parë. Vendimi ndaj Berishës dhe Malltezit është marrë me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Njoftimi i Apelit:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 17.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 82 akti, datë 09.04.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 12.03.2024 (disponuar mbi kërkesën me obj0ekt revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”) dhe vendimit nr. 166, datë 10.03.2024 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi: Miratimin e nr. 125, datë 12.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar. Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend. Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat. Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish-kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv “Partizani”, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.