Komisionet hetimore për TIMS-in dhe koncensionet në shëndetësi, nuk do të kenë sukses, sipas analistit Fitim Zekthi.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Zekthi u shpreh se qëllimi i ngritjes të këtyre komisioneve, ka qenë që Sali Berisha të identifikohet si opozita dhe ai të jetë përballë kryeministrit Edi Rama.
Sipas Zekthit, Berisha nuk ka shanse që të kthehet si kryeministër, pasi është i vdekur politikisht. Analisti shtoi se Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji po luftojnë me njëri-tjetrin, për të marrë një rol të rëndësishëm te Foltorja e Sali Berishës.
“Ajo është një rutinë parlamentare pa asnjë vlerë konkrete politike. Komisionet nuk do të kenë asnjë sukses, qëllimi i tyre ka qenë të dëshmohet para shqiptarëve që opozita është e Sali Berishës. Ajo nuk prodhon ndonjë rezultat konkret politik. Një marrëveshje Rama-Berisha, për qëllimet e tyre politike. Qëllimi ka qenë që ato të përdoren edhe për retorikë politike. Është një rutinë. Ushqim për njerëzit, ne po bëjmë opozitë, po bëjmë jetë parlamentare. Ligji mund të prevalojë mbi retorikën, por debati që Sali Berisha të shkojë dhe të dëshmojë për TIMS, ishte një fiasko.
Komisioni nuk mund të marrë në pyetje kryeministra që kanë 40-vjet që udhëhqin. Ishte retorikë, ishte edhe për t’u testuar. Ka një marrëveshje interesash. Rama ka interes që Berisha të indetifikohet si opozita. Berisha ka interes të njihet si opozitë.
Ky interes, nuk mund të shfaqet deri aty sa të thirret Berisha në komision parlamentar. Ishte retorike, testim. Salianji me Gazment Bardhin duan një gjë të përbashkët, kanë konflikt. Çfarë do Gazment Bardhi? Një rol të rëndësishëm. Çfarë do Ervin Salianji? Një rol të rëndësishëm. Nën rrogoz, lufta është ekstreme. Lufta është brenda llojit. Në atë grupim do të fitojë gjithmonë Sali Berisha, sa të jetë aktiv politikisht. Berisha politikisht ka vdekur”, theksoi ai.