Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se do të formohet një ekip që do të luftojë kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Europës. Formimin urgjent të këtij ekipi e kërkoi dje presidenti Alesandar Vuçiç.
“Numri më i madh do të jetë nga Ministria e Punëve të Jashtme, por ka edhe nga Kuvendi Kombëtar, nga zyra e Presidentit të Republikës dhe disa ministri. Nuk kemi dilema. Drejtësia dhe ligji nuk do të shihen këtu, por vetëm forca”, tha Daçiç. Ai theksoi se Kosova po shpërblehet, ndryshe nga sa pretendon Bashkimi Europain.
“Nuk mund të thuhet se që në fillim Këshilli i Evropës nuk ka qenë një organizatë politike. Por tani ne po hyjmë në një fushë që shkon përtej kornizës ligjore të vetë Këshillit të Evropës, ku shkelen parimet bazë mbi të cilat funksionon” shtoi Daçiç.
Ai thekson se anëtarët e Këshillit të Evropës janë shtete dhe se kjo do të ishte hera e parë që një subjekt që nuk është shtet do të pranohej në anëtarësim. Daçiç pyeti gjithashtu se pse entitete të tjera si Republika Srpska, pjesa turke e Qipros dhe Krimea nuk do të pranoheshin në Këshillin e Evropës.