Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, mori të premten një medalje nga udhëheqësi pro rus i serbëve të Bosnjës, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për shkak të politikave të tij ndarëse. Kryeministri Orban vizitoi Banja Llukën, selinë administrative të Republikës Serbe, si pjesë e një vizite në Bosnje gjatë së cilës të enjten qëndroi në Sarajevë.
Serbët e Bosnjës kontrollojnë gjysmën e Bosnjës, ndërsa myslimanët dhe kroatët etnikë drejtojnë gjysmën tjetër. Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, një mbështetës i presidentit rus Vladimir Putin, kërkon ndarjen e entitetit të tij nga pjesa tjetër e Bosnjës. Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan muajin e kaluar të hapin bisedimet me Bosnjën për anëtarësimin e saj në bllok. Presidenca tre anëtarëshe shumetnike e Bosnjës tha pas një takimi me kryeministrin Orban të enjten se do të vazhdojë në rrugën drejt BE-së dhe falënderoi Hungarinë për mbështetjen e saj.
Kryeministri Orban, i cili shpesh është përplasur me BE-në për shkak të politikave të tij të vijës së ashpër, tha se serbët janë “thelbësorë” në Evropë dhe BE-ja nuk ka arritur ta njohë këtë fakt. Kryeministri Orban është gjithashtu një aleat i udhëheqësit populist të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Unë mendoj se Serbia nuk trajtohet në mënyrë të drejtë (nga BE-ja). Serbia nuk merr njohjen që meriton”, tha kryeministri Orban. “Disi, Evropa nuk e kupton se serbët janë thelbësorë në Evropë. Nuk ka siguri në Evropë pa serbët. Pa serbët brenda, nuk do të ketë një Bashkim Evropian të shëndetshëm”, theksoi ai. Kryeministri hungarez shfrytëzoi rastin për të kritikuar politikat e BE-së ndaj Ukrainës dhe tha se BE-ja do të ishte më mirë t’i jepte Bosnjës 30 miliardë euro nga 50 miliardë që miratuan së fundmi për Ukrainën.
Milorad Dodiku i ndau kryeministri Orban medaljen në muajin janar, gjatë festës së shtetësisë së serbëve të Bosnjës, e cila është shpallur jokushtetuese nga gjykata e lartë në Sarajevë, por zoti Orban nuk ishte i pranishëm për ta marrë atë në atë kohë.
Udhëheqësi serb Dodik ka hedhur poshtë kritikat për festimet e 9 janarit, të cilat shënojnë shpalljen e pavarësisë nga serbët e Bosnjës në vitin 1992, duke cuar vendin në luftë.
Dy entitetet aktuale të Bosnjës u formuan me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës së viteve 1990, e cila la pas vetes më shumë se 100,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Që atëherë, serbët e Bosnjës kanë këmbëngulur për të fituar sa më shumë autonomi të jetë e mundur.