Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Mikhail Afanasiev ka përfunduar sot misionin e tij diplomatik dhe është larguar drejt Moskës.
Lajmin e bën me dije Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, përmes një njoftimi për media, teksa njofton se Sergey Lysikov tashmë do të mbajë postin e të ngarkuarit me Punë i Rusisë në vendin tonë.
“Sot, më 26 prill, Shkëlqesia e Tij Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Mikhail Afanasiev përfundoi misionin e tij diplomatik dhe u nis për në Moskë. Ministri Këshilltar i Ambasadës, Sergey Lysikov është emëruar I Ngarkuari me Punë i Rusisë në Shqipëri”, lajmëron Ambasada ruse në Tiranë.
Mikhail Afanasyev ka shërbyer si ambasador i Rusisë në Shqipëri prej shtatorit të vitit 2019, ndërsa largohet në një moment jo të mirë të marrëdhënieve ruso-shqiptare, kjo për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.