Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, sëbashku me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik nisën procesin e dezinsektimit, një program kombëtar që do t’i dedikohet tërësisht shëndetit publik, për të parandaluar sëmundjet infektive që transmetohen nga mushkonjat në territoret me pushues.
Punonjës të ISHP dhe operatorit të kujdesit shëndetësor janë pjesë e këtij procesi, i cili do të zgjasë për 6 muaj, ku krahas evidentimit të zonave ku ka larva mushkonjash, do të bëhet edhe procesi i dezinsektimit.
“Kemi ardhur me gjithë strukturat përgjegjëse për të filluar programin kombëtar që i dedikohet uljes së dendësisë së mushkonjave në territoret ku kemi pushues, sidomos në Shkoder të cilën jam e sigurtë që këtë vit do jetë destinacion turistik jo vetëm për pushuesit vendas, por edhe për të huajt”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Ky është një proces që do fillon nga muaji maj deri në shator – tetor. Monitorimi entomologjik i vazhdueshëm do të kryhet çdo dy-tre javë, në varësi edhe të situatës.
Më tej Koçiu shtoi se ky proces u nis nga Shkodra për të vijuar më pas edhe me të gjitha qytetet e tjera që kanë vijë bregdetare dhe që kanë zona të nxehta sa i përket intensitetit të mushkonjave.
“Nga Shkodra do të shkojmë në Lezhë do të zbresim në Durrës, në Fier do të shkojmë në Vlorë. Pra në të gjithë zonën me një sipërfaqe me mbi 300 hektarë, ku janë laguna, pellgje, ku janë sigurisht edhe kanale apo zona të cilat kanë prezencë të larvave apo të mushkonjave. E gjitha për të siguruar një sezon turistik të qetë”, – nënvizoi Koçiu.
Ajo kërkoi bashkëpunimin e ngushtë edhe me qeverisjen vendore, për të punuar në mënyrë të koordinuar, me qëllim që të sigurohet një mjedis me kushte higjeno sanitare të përshtatshme, që siguron për pushuesit një sezon të këndshëm pushimi.