Vllaznia ka zyrtarizuar Thomas Brdaric si trajnerin e ri të skuadrës së saj. 49-vjeçari gjerman do të nisë aventurën e dytë në pankinën e një prej skuadrave më të mëdha të futbollit shqiptar.

Vetëm 24 orë, pasi ka bërë divorcin me trajnerin Qatip Osmani, i cili është befasuar nga vendimi i drejtuesve të klubit Vllaznia për të ndërprerë marrëdhëniet në këtë faze të kampionatit, me anë të një videoje të shkurtë, klubi shkodran ka lajmëruar rikthimin e ish-trajnerit gjerman Thomas Brdaric.

“Mirë se ju gjeta, forca Vllaznia!”,- janë fjalët e para të trajnerit me origjinë kroate, i cili zbarkon në Shkodër për të tentuar fitimin e titullit kampion. Brdaric i ka drejtuar kuqeblutë shkodranë edhe në periudhën gusht 2020-mars 2022, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe duke u shpallur nënkampionë të Shqipërisë.

Trajneri nuk do të jetë rikthimi i vetëm, pasi te Vllaznia do të bëjë pjesë edhe Matko Djarmati. 42-vjeçari kroat, i cili ka qenë i pandarë me Brdaric gjatë viteve të fundit, mbajti postin e drejtorit sportiv të kuqebluve në periudhën 2020-2022.

Edhe pse roli i tij i ri nuk është përcaktuar ende, me shumë mundësi ish-lojtari i Skënderbeut, Besës, Dinamos, Kastriotit dhe Tërbunit, pritet të emërohet ndihmësi i Brdaric në pankinën e Vllaznisë.

Për të nisur eksperiencën e dytë me klubin historik shqiptar, me objektivin për të dërguar skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, që Shkodra e pret prej vitit 2001.