18-vjeçari Aureljo Dervishi mbeti i vrarë një natë më parë në Shkozë, pas sherrit mes të rinjve. Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, “molla e sherrit” ka qenë një vajzë, e cila dikur ishte lidhur me shokun e viktimës dhe më pas kishte nisur një marrëdhënie me një djalë tjetër. Dervishi në momentin e përplasjes ka qenë me personin që ka konflikt dhe një shokun e tij. Mësohet se ata janë ndeshur në rrugë me agresorët dhe ka nisur konflikti fizik.
Duke qenë se viktima ishte i fuqishëm fizikisht nuk e kanë mundur me grushte, e kanë goditur me thikë në zemër. Mësohet se të arrestuarit të dyshuar si autorët e ngjarjes, Fensis Shehu, 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç janë nga Farka. Dyshohet se ishte 15-vjeçari, njëri nga 4 të shoqëruarit që qëlloi me thikë viktimën. Sipas informacioneve, vajza, e dyshuar si ”molla e sherrit” ishte në makinë me 18-vjeçarin, i cili mbeti viktimë.
Viktima Aureljo Dervishi
Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen:
Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se: Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.