Ish-trajneri i Manchester United, Jose Mourinho tha, se ai nuk kishte të njëjtin lloj mbështetjeje në klub gjatë qëndrimit të tij dyvjeçar e gjysmë, si trajneri aktual i ‘Old Trafford’, Erik ten Hag.

Portugezi 61-vjeçar, i cili drejtoi për herë të fundit skuadrën e Serie A, Romën përpara se të shkarkohej në janar, u largua nga United në dhjetor 2018, pas një varg rezultatesh të mjerueshme, pasi fitoi Kupën e Ligës dhe Europa League në sezonin 2016-17.

Mourinho, i cili ka drejtuar gjithashtu Porton, Chelsea, Inter Milan, Real Madrid dhe Tottenham Hotspur, shtoi se kishte ende disa lojtarë te United që ai nuk i donte kur ishte atje.

“Atë mbështetje që Ten Hag ka në kohën e tij në Manchester United, unë nuk e kam pasur. Nuk e kam pasur atë nivel të mbështetjes. Nuk e kam pasur atë nivel besimi,”- tha Mourinho për The Telegraph. “Kështu që u largova i trishtuar, sepse u ndjeva sikur isha në fillim të procesit. Në disa pika, ndjeva se nëse do të më besonin në përvojën time, gjërat mund të ishin ndryshe”,- tha ai.

“Ka disa lojtarë që janë ende atje dhe që nuk i kam dashur pesë apo gjashtë vjet më parë. Mendoj se ata përfaqësojnë pak nga ajo që unë konsideroj se nuk është profili më i mirë profesional për një klub të një madhësie të caktuar,”- ka shtuar ai.

“Por unë e bëra punën time atje. Koha gjithmonë thotë të vërtetën. Do të doja që Manchester United të ishte i suksesshëm,” tha ai. Nën drejtimin e Ten Hag, United i dha fund një thatësire gjashtëvjeçare pa trofe sezonin e kaluar, duke fituar Kupën e Ligës, pasi holandezi iu bashkua klubit nga Ajax Amsterdam në vitin 2022.

United është i shtati në Premier League dhe miliarderi britanik Jim Ratcliffe përfundoi një marrëveshje të shumëpritur në dhjetor për të blerë një 25% të aksioneve në klub dhe për të marrë përgjegjësinë e operacioneve të futbollit në përpjekje për të ringjallur pasurinë e tij në fushë.

Mourinho, i cili aktualisht është pa klub, deklaroi se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në karrierën e tij si trajner. “Nuk është se jam 61 vjeç dhe dua ta lë në moshën 65-vjeçare,- tha ai. – Në asnjë mënyrë. Ka ende shumë gara përpara.”