Në prag të ndeshjes çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka pranuar se sezoni i skuadrës së tij “duket i mirë”, megjithëse paralajmëroi se “mund të shkojë keq në çdo moment”.
“Në shkollë notat nuk jepen deri në qershor. Duket mirë, por mund të shkojë keq në çdo moment. Ndërsa luajmë gara si ato që kemi në mendje, dallimi mes fitores dhe humbjes është shumë i vogël”, tha trajneri spanjoll në konferencën për shtypin për ndeshjen e Ligue 1 kundër Clermont.
“Ne jemi të përgatitur, jemi aty ku kemi dashur të ishim. Nuk ka arsye të mos jemi optimistë, por duhet të jemi realistë. Tani fillojnë gjërat e vështira”, shtoi ai.
Luis Enrique shmangu komentet për të kaluarën e tij te Barcelona, skuadër të cilën e drejtoi në tri sezone midis 2014 dhe 2017. Ai siguroi se tani shtëpia e tij është në Paris.
“Unë jam nga Gijón, por tani shtëpia ime është Parisi. E kaluara dhe e ardhmja nuk kanë rëndësi, ajo që ka rëndësi është e tashmja. Unë dua të jap gjithçka për klubin.”/ Supersport