Ditën e sotme, në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë.
Konventa është thirrur nga kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, i cili synon të rithemelojë partinë dhe ta shkëpusë nga nepotizmi.
Në Konventë do të marrin pjesë mbi 2000 të ftuar dhe 900 delegatë. Mes të ftuarve do të jenë edhe kryetarë të partive aleate edhe përfaqësi të trupës diplomatike në Tiranë.
Meta ka paralajmëruar që përmes ndryshimeve statutore do ta shkëpusë partinë nga nepotizmi, moment që largon automatikisht Monika Kryemadhin nga strukturat drejtuese.
Vëmendjen kryesore në Kongres pritet ta ketë pikërisht grupi i ish kryetares Kryemadhi, ndaj të cilit Meta ka pasur jo pak kritika dhe madje, akuza të forta duke i cilësuar si tradhtarë e të infiltruar të Edi Ramës.
Përballjen e parë Meta-Kryemadhi e patën në Komitetin Politik Drejtues, por në Konventë Meta përballet për herë të parë edhe me të tjerë të besuar të Kryemadhit, si Endrit Braimllari që dha dorëheqjen si anëtar kryesie për shkak të luftës së brendshme.
Ndërsa vetë Meta, prej së shtunës nuk do të quhet më kryetar i Partisë së Lirisë, por President i saj.
Përballë në garën për President, ai ka Faik Bashën, një ish drejtues policie aktualisht kryetar i degës së Kamzës.