Prokuroria e Posaçme, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, ka sekuestruar pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.
SPAK njofton se është vendosur masa e sekuestros preventive për një sipërfaqe toke prej 5080 m2 në Himarë.
Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes falsifikimit të dokumenteve, kanë realizuar zhvendosjen faktike në terren të kësaj sipërfaqe toke duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
“Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren”, raporton SPAK.
Prokuroria e Posaçme informon se planvendosja ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5.512 m2 të sekuestruar më parë nga SPAK.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10.592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.