Barcelona përballet të dielën në mbrëmje me Realin e Madridit në Bernabeu, në El Clasicon e dytë dhe të fundit për këtë sezon. Katalanasit janë për momentin tetë pikë larg Los Blancos kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje nga fundi i LaLiga-s.
Në konferencën për shtyp, trajneri Xavi Hernandez theksoi se në rast fitoreje, atëherë skuadra e tij mund ta tentojë fitimin e titullit edhe pse shtoi se në këtë moment pasi eliminuan Manchester Cityn në Champions, Reali është edhe më i fortë.
“Kemi mundësinë që të rihapim kampionatin, për ne është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Përballemi me një skuadër shumë të fortë, madje pasi elimuan Cityn, e shoh Realin edhe më të fortë pasi vjen në një moment shumë të mirë nga aspekti psikologjik. Ne duhet që atë inatin dhe zhgënjimin nga Champions League, ta përkthejmë me një performancë të nivelit të lartë në El Clasico”.
Ndërkohë, trajneri Xavi Hernandez mohoi edhe një krisje mes grupit të lojtarëve pas deklaratave të Gundogan mbi faullin e shkaktuar nga Araujo në Champions League.
“Gjithçka është zgjidhur, nuk ka asnjë problem. Duke folur kuptohen më mirë të gjitha dhe arrijmë që të sqarohemi. E rëndësishme është që nuk ka pasur qëllime të këqija. Ai episod është mbyllur dhe nuk kam asnjë shqetësim”, u shpreh Xavi Hernandez.