Një grup kriminal që trafikonte kokainë drejt Italisë është goditur nga policia gjatë një operacioni ndërkombëtar.

Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Sammogia”, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, ku ranë në pranga 13 shtetas, të cilët trafikonin kokainë nga vendet e origjinës drejt Italisë.

Gjatë operacionit në vendin tonë, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga Landi Kalemaj, 52 vjeç, Floriant Muho, 38 vjeç dhe Ledjon Muho, 33 vjeç, pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali.

Për tre shqiptarët, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.

Mediat italiane kanë publikuar pamje gjatë operacionit të zhvilluar në vendin fqinj. Policia ka gjetur shuma parash dhe kokainë në mikrovalë. Gjatë operacioni janë sekuestruar 26.5 kilogramë kokainë dhe 11 kilogramë marihuanë.