Me “Euro 2024” në prag, për Sylvinho-n shtohen edhe më shumë dhimbjet e kokës. Jo vetëm Rey Manaj, Uzuni apo Seferi, në kulmin e tij po kthehet edhe Mirlind Daku.
Pasi dhuroi show kundër Zenit, Daku arriti të gjejë sërish rrugën e rrjetës. “Bomberi” kuqezi realizoi një perlë kundër Ural, ku në minutën e 43-të dribloi këdo i doli përpara duke realizuar për ekipin e tij, me Rubin Kazan që doli me një pikë nga kjo sfidë pas barazimit 1-1.
Ky ishte goli i tij i katërt sezonal. Jo vetëm goli i shënuar, Daku ishte një rrezik konstant në këtë sfidë duke u vlerësuar në fund si lojtari i ndeshjes.
I lumtur për paraqitjet e Dakut këtë periudhë u shfaq edhe trajneri i Rubin Kazan: “Cili është sekreti i Dakut? Ndoshta ka rënë në dashuri. Bëj shaka, por mendoj se përgatitjet për Evropian kanë një ndikim. Ky është fundi i sezonit, nuk është e thjeshtë për të që të mbajnë një ritëm të tillë kaq të lartë”, theksoi trajneri i Rubin Kazan.