Presidenti Biden synon trefishimin e tarifave ndaj çelikut kinez
Kjo masë e re reflekton një gërshetim të politikës tregtare të presidentit Biden me përpjekjet e tij për të tërhequr votuesit në një shtet që pritet të luajë një rol jetik në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Shtëpia e Bardhë këmbëngul sidoqoftë se synimi kryesor është mbrojtja e prodhuesve amerikanë nga praktikat e padrejta tregtare të vendeve të tjera dhe jo mobilizimi i mbështetjes nga sindikatat.
Krahas rritjes së tarifave për çelikun, presidenti Biden synon trefishim të tarifave edhe për aluminin që vjen nga Kina. Tarifat e tanishme janë në 7.5% për të dyja këto lloje metalesh. Administrata amerikane ka premtuar gjithashtu të bëjë hetime ndaj vendeve dhe importuesve që përpiqen të mbingopin tregjet me çelikun kinez dhe ka thënë se po bashkëpunon me Meksikën për t’u siguruar që kompanitë kineze nuk munden t’i shmangin tarifat duke e dërguar çelikun fillimisht në këtë vend, me objektiv eksportimin e mëtejshëm drejt Shteteve të Bashkuara.
“Presidenti e kupton se duhet të investojmë tek prodhimet amerikane. Por na duhet gjithashtu t’i mbrojmë këto investime dhe këta punonjës nga eksportet e padrejta të lidhura me kapacitetet industriale të Kinës”, tha gjatë një bisede telefonike me gazetarët këshilltarja e Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Lael Brainard.
Presidenti Biden pritej të njoftojë gjatë një takimi me anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Metalurgëve, me seli në Pitsburg, se do t’i kërkojë përfaqësueses amerikane për tregtinë të shqyrtojë mundësinë e trefishimit të tarifave. Vizita treditore e presidentit në Pensilvani filloi të martën në Scranton dhe përmbyllet të enjten në Filadelfia. Administrata amerikane thotë se Kina po shtrembëron tregjet dhe po dëmton konkurencën duke mbingarkuar në mënyrë të padrejtë tregjet me çelik nën kosto. “Mbingarkimi i nxitur nga politikat kineze është një rrezik serioz për të ardhmen e industrisë amerikane të çelikut dhe aluminit”, tha zonja Brainard. Duke iu referuar rënies ekonomike të Kinës, ajo shtoi se Pekini nuk mund të përdorë në këtë mënyrë eksportet për të rimëkëmbur ekonominë.
“Kina është thjesht tepër e madhe për të ndjekur vetëm rregullat e saj”, tha zonja Brainard. Tarifat e rritura mund të sjellin rreziqe të mëdha ekonomike. Çeliku dhe alumini mund të shtrenjtohen, duke rritur ndoshta koston e automobilëve, materialeve të ndërtimit dhe mallrave të tjera të rëndësishme për konsumatorët amerikanë.
Inflacioni ka shërbyer tashmë si një pengesë për të ardhmen politike të presidentit Biden dhe një kthesë e tij drejt proteksionizmit do të ishte në linjë me strategjinë që ka ndjekur për t’u rizgjedhur pararendësi i tij dhe kundërshtari i tij politik, ish-presidenti Donald Trump. Ndërsa po bën fushatë për një mandat të dytë, ish-presidenti pati vendosur tarifa të shumta ndaj mallrave kineze gjatë mandatit të tij dhe ka kërcënuar se do ta rrisë më tej nivelin e tarifave ndaj mallrave të Kinës, nëse ajo nuk ndjek kushtet e vendosura prej tij. Një analizë e pavarur e bërë nga firma konsulente ‘Oxford Economics’ sugjeron se zbatimi i tarifave të propozuara nga zoti Trump mund të dëmtojë ekonominë e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Biden kanë thënë se në dallim nga administrata e ish-presidentit Trump, ata synojnë një përqasje “strategjike dhe të balancuar” për tarifat e reja. Kina prodhon rreth gjysmën e çelikut të botës dhe prodhon shumë më tepër nga ç’janë nevojat e tregut të saj. Kina shet çelik në tregjet botërore nën gjysmën e kostos së çelikut të prodhuar në Amerikë, thonë zyrtarët. Njoftimi i presidentit Biden pason nismën tjetër të administratës së tij për të ofruar 6.6 miliardë dollarë për një kompani tajvaneze të gjysmëpërçuesve, në mënyrë që ajo të zgjerojë fabrikat e saj në Arizona dhe për t’u siguruar që mikroqarqet më të avancuara në botë të prodhohen në Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje mund të shihet edhe si një përpjekje për të konkuruar më mirë me prodhuesit kinezë të mikroqarqeve.
Gjatë një vizite rishtazi në Kinë, sekretarja amerikane e Tregtisë, Janet Yellen paralajmëroi kundër mbingarkimit të tregut me mallra të lira dhe tha se çeliku nën kosto ka “dëmtuar rëndë industritë në mbarë botën dhe në Shtetet e Bashkuara”. Agjencia zyrtare kineze e lajmeve ka njoftuar se pala kineze ka shprehur shqetësimin e thellë për masat tregtare dhe ekonomike amerikane që kufizojnë Kinën. Një vizitë në Kinë pritet të bëhet edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Një tjetër zhvillim që mund të trondisë industrinë e çelikut është propozimi i kompanisë japoneze “Nippon Steel” për të blerë kompaninë amerikane të çelikut me qendër në Pitsburg, “U.S. Steel”. Presidenti Biden tha muajin e kaluar se është kundër kësaj blerjeje.
“U.S. Steel ka qenë një kompani simbol amerikane për mbi një shekull dhe është jetësore të vazhdojë të jetë një kompani amerikane me pronësi dhe drejtim nga brenda vendit”, tha presidenti Biden.
Në një tubim gjatë fundjavës në Pensilvani, ish-presidenti Trump kritikoi presidentin Biden për përpjekjet e kompanisë japoneze “Nippon Steel” për të blerë kompaninë amerikane “U.S. Steel”, duke mos marrë paraysh deklaratat e presidentit kundër këtij propozimi.
“Nuk do ta lejoja një marrëveshje të tillë”, tha ish-presidenti Trump./VOA