Investimi miliona dollarësh i dhëndrit dhe ish-këshilltarit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kashner për transformimin e ishullit të Sazanit ka tërhequr edhe vëmendjen e agjencisë prestigjioze të lajmeve “Reuters”. Një ekip gazetarësh ka shkuar në këtë zonë e cila më parë ishte një bazë ushtarake, por që pret të kthehet në një zonë të lakmuar nga të gjithë falë ndërtimit të disa vilave e resorteve turistike që pritet të tërheqë edhe më shumë turistë të huaj. Kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha vlerëson projektin e Kushnerit dhe thekson se vizioni i tij është që ta shndërrojë qytetin e famshëm bregdetar në një destinacion elitar të turizmit.
Ermal Dredha, kryetar i bashkisë Vlorë: Ajo që dua t’ju them është se nuk do të ndërtojmë ndërtesa të larta në këtë projekt. Por, ajo që është shumë e rëndësishme për t’u theksuar është se materialet që do të përdorim do të jenë të gjitha ekologjike. Pra, ne nuk do ta shkatërrojmë atë. Do të harmonizohet me të gjithë peisazhin që kemi. Kështu e shohim ne. Në fund të ditës, duhet të kuptojmë diçka dhe jemi dakord në parim. Duam që Vlora të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik, një destinacion elitar. Pa investime, si do t’i tërheqim gjithë këta njerëz që të vijnëv këtu, pra të zgjedhin Vlorën? Pra, që ne t’u ofrojmë diçka të mirë, diçka unike për nga cilësia dhe cilësia fillon gjithashtu me ndërtimin e diçkaje, por jo duke shkatërruar. Duke ndërtuar diçka, le të themi në një mënyrë të qëndrueshme. Projekti i Kushnerit, të cilin vendasit e quajnë “vilat e Trump”, tashmë po bën bujë. Agjenti i pasurive të paluajtshme tha se çmimet për apartamentet me një pamje nga trualli i planifikuar për zbatimin e projektit janë rritur që tani me 100-200 euro për metër katror.
Flori Brahimaj: Kur u publikua lajmi (për investimin e Kushnerit) çmimet filluan të rriten. Ka shumë zhvillues që thonë se po shes apartamentin me pamje te vilat e Trump. Çmimet janë tashmë të larta. Javën e kaluar çmimet janë rritur me 100 apo 200 euro për metër katror si pasojë e atij lajmi. Një projekt i tillë i cili pritet të ndihmojë ekonominë ka edhe kritikët e tij, të cilët kanë frikë se ky projekt do të dëmtojë mjedisin.
Jon Vorpsi (Ornitolog): Është një pikëllim i madh të dish se kjo zonë nuk do t’u shërbejë më gjeneratave të ardhshme. Nuk do t’u shërbejë më studentëve të shkencave natyrore. Nuk do t’u shërbejë më njerëzve. Një zonë që natyra e ka krijuar prej shumë vitesh, ja ku shkon delta e lumit Vjosa. Kjo është një nga zonat më të rëndësishme (mbrojtëse) në Shqipëri tani do të kthehet në Ksamil ose Golem në Durrës (qytete të tjera turistike me resorte).
Megjithatë, kryetari i bashkisë së Vlorës gjatë intervistës për gazetarët e “Reuters” është shprehur se do të kujdeset që investimi të mos dëmtojë natyrën e bukur. Pikërisht për liqenet dhe vijën bregdetare të paprekur Shqipëria ka tërhequr një numër në rritje turistësh që kërkojnë një alternativë më të qetë dhe më të lirë për Greqinë dhe Kroacinë aty pranë. I tillë është edhe ky turist që vlerëson bukuritë tona natyrore. Turist gjerman: Për mendimin tim Shqipëria është një nga shtetet ku natyra është si në të shkuarën.
Shqipëria mirëpriti më shumë se 10 milionë turistë vitin e kaluar, pra 35% më shumë krahasuar me vitin 2022. Synimi i qeverisë shqiptare është tejkalimi i kësaj shifre dhe tërheqja e më shumë se 14 milionë turistëve të huaj gjatë këtij viti.